Zviceranët u frikësohen ‘Shqiponjave’

Zviceranët kanë filluar t’u frikësohen ‘Shqiponjave’. Kjo pasi një pjesë futbollistëve shqiptarë që e përfaqësojnë këtë vend, porsa shënojnë gola, me duart e tyre e formojnë shqiponjën dykrerëshe, e cila është simbol i shqiptarëve. Rasti i fundit është ai i Adrian Nikçit. Futbollisti pejan shënoi gol në debutim për Hannoverin, ndërsa e festoi atë duke e formuar me duar ‘shqiponjën krenare’.
Njëjtë kishte vepruar kohë më parë edhe Pajtim Kasami. Futbollisti shqiptar nga Maqedonia, i cili e përfaqëson ekipin U-21 të Zvicrës, kishte shënuar në fanellën e Palermos dhe e kishte formuar shqiponjën me dorë. “Është një përshëndetje shtëpie”, kishte shpjeguar futbollisti aktual i Fulhamit.
A duhet të brengosen tifozët e Zvicrës, kur dihet fakti se ky ekip do të luajë me Shqipërinë në eliminatoret për Botërorin 2014 më 11 shtator, e ku futbollistët do të kenë ndjenja të përziera? Kjo është pyetja të cilën e parashtron magazina zvicerane Blick.
Nëse Kasami e Nikçi luajnë në ekipin e të rinjve, Zvicra ka në ekipin A lojtarë edhe më të rëndësishëm, që janë shqiptarë. Aty luajnë Valon Behrami, Blerim Xhemajli, Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka e Admir Mehmedi.
Mesfushori i Bayern Munichut kohë më parë kishte thënë se zemra e tij i takon 50 për qind Kosovës. Ndërsa mesfushori Borussia Monchengladbachut së fundmi kishte thënë se ndihet 80 për qind zviceran e 20 për qind shqiptar, pasi ishte kontestuar për faktin se e këndoi himnin shqiptar në ditët e para të aventurës në M’Gladbach.
Zviceranët janë të brengosur edhe për faktin se Kosova mund ta formojë ekipin e saj me lojtarë që përfaqësojnë vende tjera. “Në vjeshtë do të merret vendimi. Shaqiri me shokë mund të largohen. Në një vend të sapoformuar, ndërrimet e lojtarëve janë të lejuara”, përfundon shkrimi i Blick.
MT: Nikçi, i lumtur që shënoi në debutim
Adrian Nikçi e ka nisur mbarë aventurën në Bundesligë. Ai është treguar një super-xhoker në ndeshjen e parë zyrtare me skuadrën e re Hannover, e cila barazoi në shtëpi përballë Schalkes 2:2.
Sulmuesi kosovar u inkuadrua në lojë në fund të ndeshjes, derisa e ka ndihmuar ekipin e tij të ri që ta shkëputë një pikë në duel me Schalken. Ish futbollisti i Zurichut u fut në lojë në minutën e 77-të dhe pas vetëm tre minutash e shënoi golin e dytë të vendësve në barazimin 2:2.
Mediat gjermane, respektivisht tabloidit i njohur Bild, e kanë lavdëruar mesfushorin kosovar, të cilin e konsideroi një ‘super-xhoker’, dhe i cili i ka arsyetuar menjëherë 600 mijë eurot që i shpenzoi klubi nga Bundesliga për të.
22 vjeçari ndihet i lumtur që e nisi në mënyrë të tillë eksperiencën në Gjermani. “Ishte një fillim i shkëlqyeshëm dhe jam i lumtur që munda ta ndihmoj skuadrën time”, ishin fjalët e para të protagonisti të Bundesligës pas ndeshjes. Përpos Nikçit, për Hannoverin shënoi edhe Felipe (43’), kurse për Schalken realizuan Huntelaar (1:1) e Holtby (64’).