E Hënë, 2 Nëntor 2026

Reali kualifikim me vërshëllima, madrilenët vuajnë ndaj Celta Vigos në kupë. Eliminim surprizë për Bilbaon

Real Madrid arriti të shmangë turpërimin dhe u kualifikua për në fazën e 1/8 të Kupës së Mbretit, edhe pse iu desh të djersinte shumë ndaj Celta Vigos. Madrilenët fituan 5-2 vetëm në shtesë, pasi 90 minutat e rregullta përfunduan 2-2.

Megjithëse luajti më mirë dhe krijoi më shumë raste se kundërshtari, skuadra e Ancelottit ishte me fat në pjesën e parë, pasi gjyqtari nuk i dha miqve një penallti në një episod mjaft të diskutueshëm. Në fund të pjesës së parë, avantazhin për madrilenët e siguroi Kilian Mbappé.

Edhe nisja e pjesës së dytë ishte më e mirë për Realin, që ia doli të dyfishojë shifrat me anë të brazilianit Vinícius Júnior. Braziliani pati një rast të artë për të trefishuar rezultatin pak çaste më vonë, ndërsa një gol tjetër i tij u anulua për një pozicion jashtë loje, që edhe teknologjia me vështirësi e kapi.

Në krahun tjetër, portieri Lunin u bë protagonist me një pritje spektakolare, përpara se miqtë të bënin mrekullinë në minutat e fundit përmes talentit të ri, Bamba, i futur si zëvendësues. Fillimisht, ai shkurtoi diferencat, ndërsa më pas fitoi një penallti që u kthye në gol nga Marcos Alonso.

Mes vërshëllimave të publikut në Bernabeu, ndeshja shkoi në shtesë. Në 15 minutat e fundit të saj, gjithçka u zgjidh nga talenti i Realit, Endrik, autor i dy golave, si dhe një tjetër nga Federico Valverde, duke shmangur një situatë edhe më të rëndë për madrilenët, sidomos pas humbjes 5-0 ndaj Barcelonës në Superkupë.

Një tjetër surprizë ndodhi në Bilbao, ku skuadra vendase u eliminua pas humbjes 3-2 në shtëpi nga Osasuna. Gjithçka ndodhi në fundin e pjesës së parë, kur Oroz dhe Budimir shënuan dy herë për miqtë, ndërsa Nico Williams shkurtoi për vendasit.

Në pjesën e dytë, De Marcos barazoi për Bilbaon, por Osasuna shënoi golin e kualifikimit sërish me Budimir, duke siguruar një fitore të madhe./vizionplus.tv

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›