Ilir Meta kërkon lirinë, mbrojtja përdor argumentet me të cilat gjykata nxori nga izolimi Berishën

Ilir Meta i kërkon Gjykatës së Lartë lirimin e tij nga qelia e paraburgimit.
Përmes avokatit të tij, Genc Gjokutaj depozitoi rekurs pranë kësaj gjykate, ku ndër argumentet e përdorura është edhe aktiviteti politik për zgjedhjet e 11 majit.
Sipas mbrojtësit të tij ligjor, Meta duhet t’a rifitojë lirinë në një kohë kur është lideri i dytë i opozitës, duke iu referuar kështu edhe zbardhjes së vendimit që nxori nga arresti shtëpiak, klientin tjetër të Gjokutajt, Sali Berishën.
“E kemi bërë prezent këtë cilësi të tij, dhe kjo që thatë ju është një praktikë e shtuar, i referuar jurisprudencës së Strasburgut që ka një praktikë të uiniformizuar dhe në lidhje me subjekte të tilla, si Berisha e Meta. Arrestimi i tij është bërë për këtë shkak, pas 6 viteve që kanë pasur aktet nëpër duar që në kohën e gjykatës së krimeve të rënda, është paraqitur disa herë në Gjykatë dhe ka dhënë shpjegime. Meta edhe herën e fundit ka dhënë shpjegime. E kemi ngritur këtë argument”, tha avokati.
Gjokutaj mbron ende tezën se arrestimi i ish- presidentit Ilir Meta ishte i jashtëligjshëm.
“Kam dorëzuar rekursin ndaj vendimit që ka caktuar masën arrest në burg për zotin Meta. Kemi paraqitur të gjitha argumentet që nga ndalimi kriminal, pastaj për secilin episod, si lobimin në SHBA, për të cilin Meta ka dhënë shpjegime në të cilën nuk ka asnjë penalitet. Është i sqaruar procesi për lobim kemi sqaruar deklarimin e pasurisë që e ka bërë atë, pastaj edhe për CEZ-DIA, çështje që është bazuar mbi kallëzues të rremë dhe prova të marra në kundërshtim me ligjin”, vijoi ai
Prej 21 tetorit, ish- presidenti i Republikës, aktualisht, kreu i Partisë së Lirisë ndodhet ne qeli pasi u arrestua në autostradë teksa po kthehej nga Kosova. Të shumta kanë qenë kërkesat e tij për heqjen e masës së sigurisë arrest në burg, por deri tani janë rrëzuar. Meta akuzohet për tre vepra penale, korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje pasurie. /vizionplus.tv