Reali ngec sërish me Lionin, Anelka kualifikon Çelsin
Pritej me shumë kërshëri përballja mes Lionit dhe Real Madridit, pasi vjet në këtë fazë të Champions, francezët bënë befasinë më të madhe, duke eliminuar favoritët spanjollë. Por, edhe dje Reali nuk ka mundur dot të nënshtrojë Lionin, ndonëse rezultati i favorizon në ndeshjen e kthimit. 90 minutat e luajtura në “Gerland” kanë qenë vërtet të ndezura. Edhe pse Reali e ka qarkulluar më shumë topin, kanë qenë të zotët e shtëpisë ata që kanë bërë zbritjet më të rrezikshme në kuadratin e Iker Kasijasit. Kombinimet mes Bastosit dhe Delgados e kanë vënë në vështirësi mbrojtjen e Los Blancos. Lioni kërkon të befasojë kundërshtarët, me zbritje të rrezikshme dhe në njërën prej tyre Gomis ka në dorë rastin për të shënuar golin e avantazhit, por Kasijas bën mrekullinë duke devijuar në këndore. Një tjetër mundësi e pashfrytëzuar mirë, në pjesën e parë për francezët, do të jetë dhe një goditje me kokë e Reveje. 45 minutat e dyta nisin nën ritmin e madrilenëve, që do të godasin brenda 60 sekondave shtyllën dhe traversën. Në rastin e parë është Kristiano Ronaldo, që kërkon të shënojë nga një pozicion i pamundur, ndërsa në të dytin, koka e Serxho Ramosit e drejton topin në traversë. Murinjo bën zëvendësimin e duhur. Benzema merr vendin e Adebajor dhe pas vetëm pak sekondash, vallëzon në zonën lioneze, duke dehur mbrojtjen dhe mposhtur Loris. Reali në delir, por Benzema, një ish, nuk feston. Megjithatë, Lioni do të gjejë forca për të reaguar dhe në një rast fotokopje si në pjesën e parë, Gomis do të mposhtë Kasijasin, duke i dhënë ndeshjes barazimin përfundimtar. Në sfidën tjetër të mbrëmjes, Çelsi praktikisht siguron kualifikimin pas dy golave të Nikolas Anelka, nga një në çdo pjesë. Sfida e dytë në Londër do të jetë një shëtitje për ekipin e Ançelotit.