Tristan Halilaj, si Niku
Meqë emocionet e Berlinit na i rrëfeu Sindi, nga ti do donim të dinim si e gjete personazhin e Nikut?
Duke qenë se, si unë, dhe Rudina, jetonim në qytet dhe nuk kishim asnjë përvojë personale mbi gjakmarrjet, njohuritë tona mbi këtë fenomen ishin sipërfaqësore. Kemi bërë shumë hulumtime në familjet që kanë qenë në ngujim. Joshua më thoshte për rolin e Nikut, që nëse duhet ta arrish atë rol, duhet të kesh referenca dhe ato referenca unë i kërkova dhe i gjeta. Pas takimeve me këta të rinj dhe bisedave me ata, unë përvetësova Nikun, krijova një ide sesi mund të ishte Niku; një adoleshent shumë aktiv, që adhuronte teknologjinë dhe për shkak të një vrasje që bëri babi dhe xhaxhai, ai e gjen veten të ngërthyer në kurthin e problemit mesjetar të kanunit. Në këtë film, nuk përfaqësohet një Shqipëri mesjetare, por një Shqipëri moderne dhe një problem mesjetar. Pra është një lloj kontrasti, mes së vjetrës dhe të resë, mes antikes dhe modernes.
Dhe si e pe veten në rolin e Nikut si aktor?
Filmi më pëlqeu shumë sepse edhe unë, për herë të parë e pashë me publikun në Berlin. Por sa herë e sheh veten, gjithmonë thua; ah këtë skenë mund ta bëja më bukur. Kishte momente që më dukej vetja shumë i vogël edhe zëri më dukej ndryshe, nuk e di pse. Unë e kam pasur ëndërr, si çdo adoleshent, ekranin e kinemasë por pas audicionit dhe zgjedhjes vendosa se çfarë rruge do të ndjek.
Pra do të vazhdoni në rrugën e aktrimit?
Menjëherë pas xhirimeve, shkova dhe konkurrova në Akademinë e Arteve në Tiranë dhe nuk fitova në fakt, pastaj shkova dhe konkurrova në Tetovë, ku fitova, dhe aktualisht ndjek vitin e parë në Akademinë e Arteve në Tetovë, ku një ndër profesorët e mi është dhe babi im në film, aktori Refat Abazi.