Shkëmbi: Shtylla? Bëj gol ndaj Dinamos!
Ka shënuar golin e fitores, ka frymëzuar manovrën sulmuese të të tijve, madje ka goditur edhe një shtyllë, shtyllë e cila i ka mbetur peng, pasi kështu do të mundte tua mbyllte gojën skeptikëve. Kapiteni i Skënderbeut, Blendi Shkëmbi, ndjehet vërtet mirë 24 orë pas sfidës më të rëndësishme të kampionatit, ajo që rihapi betejën për titull dhe që e rifuti Skënderbeun tërësisht brenda objektivave të tij. “Ishte një fitore mëse e merituar. Luajtëm më mirë se kundërshtari dhe ishim të uritur. Ajo që më pëlqeu më shumë ishte se u treguam të kujdesshëm dhe nuk rrezikuam shumë. Flamurtari është një ekip shumë i mirë, por i tillë është edhe Skënderbeu. Besoj se me fitoren e djeshme ua kemi mbyllur gojën të gjithë skeptikëve që aludojnë se ne ndihmoi nga gjykimi. Të gjithë e panë se Skënderbeu ishte vërtet një ekip i mirë.” Por, për të përforcuar këtë, Shkëmbi shton: “Ata që flasin nisen sepse ndeshja mbaroi 1-0, sepse nëse unë do të kisha shënuar atë shtyllë, atëherë rezultati do të ishte edhe më i pastër dhe natyrisht që edhe meritat do të na i njihnin më shumë ata që nuk duan ta bëjnë diçka të tillë”. Megjithatë, kapiteni i korçarëve nuk e humb shpresën se do të shënojë shumë shpejt. “Është ndeshja e tretë radhazi që godas shtyllën. Kundër Dinamos do të shënoj dhe do të ndihmoj ekipin tim që të marrë fitoren”.
Titulli do të ndahet në Vlorë!
Me fitoren e Skënderbeut është fiksuar java e fundit e kampionatit. Skënderbeu i vendit të dytë, sipas rregullores dhe kalendarit që përcaktohet në bazë të renditjes për fazën e tretë, do të luajë në Vlorë ndeshjen e fundit, pasi është Flamurtari i vendit të parë që do të presë në shtëpi vendin e dytë. Kjo ndeshje mund të jetë një finale vetëm nëse diferenca e pikëve mes dy skuadrave nuk do të jetë më e madhe se tri pikë. Për momentin Flamurtari kryeson me 46 pikë, ndërsa korçarët kanë 4 pikë më pak, 42.