E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reali pret Totenhemin per cerekfinalen e pare te Championsit

 Real Madrid-Totenhem është një çerekfinale Championsi, e cila nis nga stoli me përballjen e dy strategëve Hoze Mourinjo dhe Herri Redknap. Mourinjo, i cili synon të bëhet trajneri i parë në historinë e Ligës së Kampioneve, që e fiton këtë turne me tri ekipe të ndryshme, ka thurur lavde për trajnerin kundërshtar...

“Kur unë isha në Angli, Redknap nuk ishte në drejtimin e një skudre që të kishte të tilla ambicie. Më në fund, pas punës së mirë që bëri në ekipet e tjera, ju dha mundësia të ndërtonte Totenhemin. Ai mori futbollistët e duhur, bëri zgjedhjet e sakta dhe ju them nga zemra që jam i lumtur për të. Nëse unë dhe Reali nuk do të jemi në finalen e Champions, uroj që Totenehemi i Redknapit të jetë atje.”

Reali i Madridit nuk do të ketë në radhët e tij sulmuesin francez Karim Benzema, i cili nuk është stërvitur me ekipin ditët e fundit përshkak dëmtimi. Emanuel Adebajor do të jetë titullar përkrah Kristiano Ronaldos, ndërsa në stol figuron edhe Gonzalo Higuain. Reali është nëntë herë kampion i Europës, ndërsa Totenhemi merr pjesë për herë të parë në Ligën e Kampioneve, që kur kjo veprimtari ndyrshoi emrin nga Kupa e Kampioneve në Champions League. Në raundin e kaluar, londiezët eliminuan Milanin dhe trajneri Redknap pranon haptazi se ka nisur të ëndërrojë:

“Unë nuk ndjej asnjë presion, unë thjesht dua që ne të luajmë mirë. Ju e dini se ishin të paktë ata që mendonin se do të arrinim mes tetë ekipeve më të mira. Kemi arritur shumë, por nuk jemi të ngopur me kaq. Ka ende një ëndërr të madhe përpara nesh dhe do të përpiqemi që ta shndërojmë në realitet.”

Skuadra që do të kualifikohet mes Realit dhe Totenhemit do të ndeshet me Barcelonën ose Shakhtjorin në gjysmëfinale. Totenhemi ka disa mungesa, sidomos në mbrojtje. Alan Huton është i dëmtuari i fundit, që i shtohet në infermieri Kingut, Udgejtit dhe Kabulit. Galas është grumbulluar, por do ta nisë ndeshjen nga stoli. Reali dhe Totenhemi janë ndeshur vetëm një herë në historinë e Kupave të Europës. Në edicionin e Kupës UEFA në vitin 1985 spanjollët fituan 1-0 në ndeshjen e parë në Londër, ndërsa sfida e kthimit u mbyll 0-0. Edhe atëherë ishte çerekfinale...

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›