Realiteti virtual i librit dhe shitja e tij
NGA Rexhep Çullhaj (librar, poet,kulturolog)
Libri ne shoqërinë shqiptare herë humb terren e herë fiton, varësisht cilësisë së tij, bujës meditike, apo fatit që çdo libër e mbart vetiu që në botim. Sot me zgjerimin e mundësive për të marrë informacion, duket se libri po del në rend të dytë apo të tretë, po në të vërtetë nuk është krejt ashtu. Libri vazhdon të rezistojë dhe të ketë adhuruesit e vet, gjithashtu, lexuesi i tij nuk mundet ta braktisë edhe pse afrohen lehtësira për marrjen e informacionit nga burime të tjera. Kjo ka disa shkaqe të dobishme që e bëjnë librin(librin historik, filozofik, një roman,novelë apo studim, të jetë i dobishëm në duart e lexuesit. Së pari është ajo që quhet komoditet i leximit në letër, mobiliteti i librit i cili mund të merret kudo, në tren,autobus,apo lehtësisht mund të pushojë me ty duke u futur nën jastëk. Së dyti, është një traditë e gjatë e tij, mijëravjeçare, një mësim instiktiv me të, diçka që nuk çrrënjoset lehtë sado të përparojë teknika. Pastaj vjen një kohëzgjatje më e madhe e ruajtjes së germës përmes faqeve të tij dhe duke fituar vjetërsi, libri fiton në vlerë. Sot, me ardhjen e demokracisë, është krijuar mundësia për botimin e librit i gjithë llojeve. Nuk ka më përzgjedhje, çensurë, mjafton të shruash një dorëshkrim dhe ja libri del gati si buka nga furra. Kjo liri e botimit duhet të futet në konkurrencën e tregut dhe aty lexuesi bën përzgjedhjen. Shoqëria, shteti, gjithnjë krijon disa mekanizma të propagandës për librin, themelohen stenda nga shtëpi botuese të fuqishme, thiren kamera, gazetarë, bëhen intervista me shkrimtarë të njohur, dhe krijohet një mendim i përgjithshëm se ky apo ai libër mbetet libri më i mirë, duke siguruar një sukses të përkohshëm në shitje. Në të vërtetë kjo është normale në një shoqëri të reklamës dhe mediatizimit, sepse të tilla janë funksionet e saj, jashtë çdo paragjykimi,por nuk është normale që propaganda të fokusohet në faktorë të tjerë jashtë librit,si faktori politik, klanor, apo deri tek blerja e mendimit. Lexuesi shqiptar i lodhur nga lufta për ekzistencë nuk ka kohë të thellohet, për të kuptuar se cili është libri më i mirë, prandaj misioni i mediave dhe boria e tyre propogandistike është e rëndësishme. Kjo bori nuk duhet të japë alarme të rreme.Nga ana tjetër këto realitete virtuale dëmtojnë imazhin e librit në tërësi dhe sjellin një çoroditje dhe mosbesim në vlera e librit dhe në mënyrën e servirjes së tij apo të kuptimit të këtyre vlerave në mënyrë të drejtë. Këtë ne e kemi parë tek panairi i librit ku mediat mbulojnë vetëm dy tre shtëpi botuese të fuqishme dhe intervistojnë tre katër emra. Kaq mbetet panairi. Mungesa e kohës për tu thelluar apo për të parë titujt më të rinj, prurjet më cilësore, është diçka që sjell mbulimin e një gënjeshtre si të vërtetë apo anasjelltas. Edhe TVSH, që është televizioni gjasme i të gjithëve,e për të cilin çdokush paguan taksë, nuk e bën këtë ndalesë tek ço stendë për të parë mirë e reklamuar librin, pavarësisht se në stendën më të paekspozuar mund të gjesh librin më të mirë. Kjo huti që vjen nga propaganda fiktive, natyrisht nuk i përket një viti apo dy, nuk është një rastësi, përkundrazi ajo po kthehet nnë një sistem të të sjelluri, dhe sa herë që shfaqet aq më shumë kërkon të justifikohet e të na e shesë sapunin për djathë. Po kush e njeh librin? Librin më së miri e njeh lexuesi i kualifikuar, i edukuar me të ,që në bangat e shkollës, ai lexues që rri i heshtur dhe nuk shfaqet e që kërkon nëpër librar ato tituj të cilët nuk ia servir media, po që ai i di se janë të mirë .Sigurisht që leximi është edukim, është një përvojë të lexuari dhe një kultivim shijeje estetike që vjen hap pas hapi dhe në mënyrë përpjestimore me lodhjen e çdokujt për tu kulturuar e për të ecur përpara. Këta janë ata lexuesit që duan letërsinë serioze, letërsinë me mjete artistike të pasura dhe teknika letrare ku shprehet thellësi mendimi dhe mësohet filozofikisht për jetën. Kategoria e dytë e lexuesve,që është më e gjërë përcakton atë tip lexuesi që kërkon letërsinë e lehtë, rozë,letërsinë bulevardeske, me ngjarje dhe aventura që kënaqin këshërinë, kjo natyrisht e sjell në vëmendje se kjo letërsi në dukje e pafajshme me të drejtën e ekzistimit e ka të drejtën e saj.Pastaj librin e njeh librari. Librari ndodhet përditë në shoqërinë e librit dhe në kontaktin me lexuesin. Një librar i mirë mund të rekomandojë, po kurrë nuk mundet të detyrojë.Lexuesi kur troket në librari e di vetë se drejt kujt libri i duhet të shkojë, pavarësisht nëse ka të drejtë apo duhet të gabojë. Por librari me kulturë ndërhyn dhe sugjeron.Në këtë kuptim krijohet një marrëdhënie ndërvartësie libër lexues- librari,ose si të duash mund t`i renditësh. Kjo marrëdhënie ndërvartësie nuk e përjashton asesi faktorin tjetër, sado i jashtëm qoftë, e rëndësishme është që libri të shkojë tek lexuesi.Por ne vemë re se librat që rekomandohen nga propaganda ,pasi marrin një bujë si flaka e kashtës,e sigurojnë një shitje të nxituar,mbeten stok. Ndërsa librave që nuk u bëhet një propagandë, shiten ngadalë po shiten gjithëkohësisht.Janë librat e shkrimtarit afgan Khabel Hysein ,Gjuetari i Balonave, Njëmijë diej vezullues,Dhe malet oshëtijjnë, botuar nga OMSKA, të clilat kërkohen pandërprerë.Pse ,se ka letërsi, nuk ka propagandë. Intuita artistike e lexuesit serioz nuk gabon as këshilla e librarit. Po kështu vazhdojnë shitjen e tyre të ngadaltë po të përhershme librat : Nikolla Tesla,Nikolas Sparks,Pëllub Meçani me Ramafobinë, librat e Lasgushit, Frederik Reshpes,Odhise Grillos, Gaqo Bushakës, Dionis Bubanit, Ferit Lamajt,etj. Për gjithë sa thamë më lart, të kuptohemi , ne nuk jemi kundër propagandës, por jemi kundër berihajt dhe propagandës fiktive, të një- anshme dhe të paracaktuar.Sepse reklama për librin ëshë e domosdoshme, ajo merret edhe në trajtë sugjerimi nga një mik apo shok, gjithësesi, kjo reklamë e afron lexuesin me librin ashtu siç e afron edhe kujdesi i tij i gjatë për të mos iu ndarë leximit.Libri bën jetën e tij dhe kurrësesi fjala për të nuk i ngjet reklamës së një resorti turistik, as bujës mediatike të një artikullshkruesi të vobegtë që ngre dhe ul autorë me tam -tame të dalëboje. Historia njerëzore ka treguar se libra të rëndësishëm nuk kanë mundur të trokasin në veshin e vëmendjes së kohës dhe më vonë kanë dalë vetiu kur është korigjuar moda dhe vëmendja artistike e një epoke të mëvonshme. Autorë që dikur kanë qenë të rëndësishëm për shkak të keqkuptimeve estetike apo suportit politik janë shuar më vonë nga një shpërfillje e justifikuar ,sepse nuk kanë pasur vlera. Natyrisht puna me librin është e vështirë në këtë bum botimesh dhe huti që krijohet vetiu prej vlerave të nëpërkëmbura ose vlerave të sajuara, kur të vjen keq që flenë në raftet e librarive kryevepra ndërsa shiten libra pa rëndësi për shkak të rekomandimeve dhe servirjes së shijes mesatare. Nganjëherë edhe çmimi i tyre nuk justifikohet ,sepse xhepi i lexuesit të vërtetë fatkeqësisht qëllon i holluar, ndërsa ata që kanë para nuk kuturisin të lexojnë dhe kur blejnë një libër e blejnë për një dhuratë. Puna me librin është një punë e vështirë ,por jo e pamundur, veçanërisht kur hetohet lehtë një dëshirë e një pjese njerëzish të cilët janë të prirur drejt leximit të letërsisë së mirë. Veçse kërkohet më shumë nga institucionet kulturore të bëjnë një punë më të kujdesshme për hartimin e strategjive në thurjen e programeve reklamuese që synojnë orientimin e letërsisë së mirë, pikërisht atë letërsi që edukon bindshëm shije artistike dhe paraqet thellësi ideshë e ndihmon në orientimi jetësor të lexuesit duke synuar formimin e një bote shpirtërore sa më të begatë. Në këtë kuptim, duke mos sjellë vetëm shqetësimet e një librari, po të një poeti dhe studiesi të letërsisë, të një lexuesi sistematik, diktuar edhe nga puna ime në shoqërinë e përditshme të librit duke njohur nga afër edhe politikat që ndiqen për të- mund të them se çdo