Edi Rama dhe ndryshimi sistemik i Shqipërisë
Andi Balla/Gazetar
-Puna e Ramës do të konsistojë në një betejë kundër korrupsionit të përhapur dhe përballë vështirësive ekonomike që lidhen me krizën financiare europiane që e ka goditur Shqipërinë sidomos për shkak të lidhjeve të forta ekonomike me Greqinë dhe Italinë fqinje Për kryeministrin e ri të sapozgjedhur të Shqipërisë, Edi Rama, shumëçka nga fama e tij, jashtë vendit të tij të vogël, i ka ardhur nga piktura. Më shumë se një dekadë më parë, kur artisti i dikurshëm u bë ministër i Kulturës, e më vonë Kryetar Bashkie, ai filloi të pikturonte me ngjyra të ndezura fasadat në gri depresive që së shkuarës komuniste. Ai i dha Tiranës një freskim të fytyrës së vet, prishi ndërtesat ilegale në parqet e qytetit dhe i riktheu hapësirat e gjelbra, por edhe shpresën publikut. Në proces e sipër, Rama arriti të bëhej një lloj politikani i rrallë për mjedisin ballkanik, i tillë që tërhoqi interesin pozitiv në audiencat perëndimore, një politikan për të cilin bëhen profile pozitive në revistën New Yorker, që jep ide në Ted-Talks për atë sesi duhet përmirësuar humori i një qyteti përmes artit dhe më tej, fiton edhe një çmim për qeverisjen lokale. Ndonëse përpjekjet dhe aftësia e Ramës për të komunikuar me audiencat ndërkombëtare nuk janë kuptuar plotësisht në Shqipëri-dhe kjo aftësi nuk ishte arsyeja kryesore pse ai u zgjodh kryeministërstrategjia e tij e kujdesshme e komunikimit me audiencën e huaj e kanë bërë atë numrin shqiptarin që qëndron krye për Marrëdhëniet me Publikun, kohë më parë se ai të merrte detyrën e numrit një të ekzekutivit më 23 qershor, kohë kur koalicioni i majtë fitoi një lumë votash. Rama, 49 vjeç, është tani në krye të punës për imazhin e vendit të tij, që ende kërkon një punë të madhe për të larguar asociacionet, më së shumti të padrejta, me prapambetjen dhe krimin. Qëkur Edi Rama e bëri të njohur kabinetin e tij të ri vetëm pak ditë më parë, u kuptua se ky rindërtim imazhi do të niste me njerëzit që shërbenin në qeveri. Qeveria e re është e mbushur me fytyra të reja, shumica e të cilëve nuk kanë mbajtur poste qeveritare të larta më parë. Për më tepër, që në këtë kabinet ka më shumë femra sesa në të gjitha qeveritë shqiptare të 100 viteve të fundit. Ai ka 6 ministre femra, apo 30% të totalit. Në kontrast me këtë, qeveria e mëparshme kishte vetëm një ministre femër. Mimi Kodheli p.sh do të jetë femra e parë që bëhet ministre e Mbrojtjes, një post ky që përfshin takimet e NATO-s ku Shqipëria do përfaqësohet qëkurse vendi u anëtarësua në vitin 2009. Ajo nuk do të jetë e vetmja ministre e Mbrojtjes nga vendet e NATO-s, por në këtë drejtim Shqipëria do të jetë krah me dy vende-Norvegjia dhe Holanda, dy vende që në termat ekonomike dhe të imazhit kalojnë pjesën më të madhe të kombeve europiane. Shumë nga ata që bëjnë pjesë në kabinetin Rama janë gjithashtu të rinj në krahasim me standardet e qeverisë që iku. Ministri i ri i Brendshëm është 33 vjeç, kurse ministri i ri i Jashtëm është 35. Dhe teksa po përpiqet që të hyjë në Bashkimin Europian dekadën tjetër, Shqipëria, rolin e rëndësishëm të ministrit të Integrimit Europian ia ka dhënë 30 vjeçares së edukuar në Britani, Klajda Gjosha, e cila përfaqëson një brez që po rritet shqiptarësh që kujtojnë shumë pak, apo asgjë nga e shkuara komuniste e vendit dhe janë rritur me premtimin e anëtarësimit të Shqipërisë në familjen europiane. Por ky premtim nuk do të realizohet lehtë dhe puna e Ramës do të konsistojë në një betejë të vështirë kundër korrupsionit të përhapur shumë dhe përballë vështirësive ekonomike që lidhen me krizën financiare europiane që e ka goditur Shqipërinë rëndë sidomos për shkak të lidhjeve të forta ekonomike me Greqinë dhe Italinë fqinje. Rama do të ketë të bëjë gjithashtu me opozitën e brendshme kundër imazhit të tij me prirjen e tij për të udhëhequr progresin dhe kundër luftës së tij për një “ndryshim sistemik” ndaj asaj sesi janë bërë gjërat në Shqipëri. Ai do të duhet të shmangë kurthet që kanë sabotuar punën e qeverive të mëparshme, përfshirë paraardhësit e tij, koalicionin e qendrës së djathtë që u godit me një humbje ndëshkuese në zgjedhjet e fundit, kur votuesit shqiptarë dëshmuan se atyre u kishte ardhur në majë të hundës me një lloj qeverie që perceptohet se është e korruptuar dhe arrogante dhe që drejtohet nga një njeri i fuqishëm i përjetshëm. Aftësitë e Ramës në marrëdhëniet publike dhe në botëkuptimin për zhvillimet globale do të jetë një aset përcaktues për të kapërcyer kurthe të kësaj natyre. Ai ka firmosur tashmë një marrëveshje me ish-kryeministrin britanik Toni Bler, që e ka marrë këshilltar, në dukje pa kosto për taksapaguesit shqiptarë. Ka pak dyshime nëse Rama do të vijojë të përdorë aftësitë e tij për imazhin, në projektet e reja që ai dhe qeveria e tij do të ndërmarrë, për të përmirësuar imazhin e vendit dhe për ta kthyer atë në një qëllim të rëndësishëm të të gjitha projekteve; një përpjekje që tashmë ka nisur me pamjen e ndryshme të qeverisë të re shqiptare.