E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reality show-neorealizmi televiziv

Pse “reality show” kanë sot një sukses të madh televiziv? Është një pyetje që shumë i përgjigjen dhe variantet që jepen janë nga më të ndryshmet duke filluar nga ato denigrueset dhe deri te vlerësueset. Dhe është një temë debati që bëhet jo vetëm te ne si pasojë e “Big Brother”-it, por edhe kudo në botë e prej disa vitesh, me lindjen e këtij koncepti televiziv që e ka suksesin e padiskutueshëm.

Qëllon shpesh që ata që e mbajnë veten për më intelektualë i distancohen këtij formati dhe përpiqen ta paraqesin si një variant të gabuar të ekranit dhe mbi të gjitha që nuk është edukativ e si rrjedhojë refuzojnë ta shikojnë. Dhe në këtë rast intelektuali pranon të bëhet injorant, sepse termi ‘injorant’ do të thotë të mos kesh njohuri.

Nuk është fjala për të ndjekur një “reality show” me orë të tëra, por të refuzosh të njohësh një realitet të rinjsh, problemet e ambiciet e tyre, atë çfarë ata përfaqësojnë dhe mentalitetet nga vijnë, formimin e tyre që deri diku është formimi i rinisë shqiptare, me diferencat e mungesat, me mendimet dhe paragjykimet, cilësitë dhe veset, të kushtëzuara nga trashëgimia e tyre kulturore e prapambetur ose jo, familjare apo krahinore.

Dhe mbi të gjitha pse tërheq kaq shumë një publik të pakrahasueshëm në numër me çfarëdo realizimi tjetër televiziv. Një intelektual i vërtetë do të kishte kuriozitet vetëm për të kuptuar këtë.

Pse ndodh ky fenomen? Çfarë e bën atë të ndryshëm? Masivizimi i televizionit bëri të detyrueshme që dhe ai vetë si një formë arti e informacioni të zhvillohet e të ndjekë hap pas hapi zhvillimet sociale. Në vitet ‘80 televizioni shënoi suksesin e kuiceve dhe varieteve si programet më popullore dhe të ndjekura, për t’ia lënë vendin në vitet ‘90 talk show-t e më pas në fillim të viteve 2000 “reality show”-t. Pra është një ndryshim i domosdoshëm që e kërkon vetë koha. Ndoshta pas dhjetë vjetësh ne do të kemi një tjetër format të ri televiziv që për momentin nuk është gjetur ende.

“Reality show”, duke sjellë në vëmendje të shikuesve njerëz të zakonshëm, që shfaqen në ekran duke bërë një jetë normale me tërë ato veprime dhe biseda që bën çdo njeri në jetën e përditshme mund të konsiderohet si një neorealizëm televiziv.

Neorealizmin si formë arti e kemi ndeshur më qartë në kinemanë botërore e sidomos në atë europiane. Sot e quajmë një gjenialitet, por atëherë kur u shfaq për publikun ishin të shumta edhe kritikat që i bëheshin. Filmat e regjisorëve si Fellini, Visconti, Pasolini, Rosselini, Bergman apo Truffaut e shumë të tjerë, sollën në artin e shtatë jetë njerëzore ashtu si ndeshen në realitet, me problemet dhe vuajtjet, gëzimet dhe zhgënjimet. Në shumicën e rasteve edhe të interpretuara nga njerëz të thjeshtë e jo nga aktorë me famë. Sot, neorealizmi botërisht cilësohet si një nga arritjet më të mëdha të kinemasë, një hap cilësor i saj që do të kushtëzonte të ardhmen e kësaj forme arti me parametrat e vendosur. Nuk ka kritik e intelektual që nuk mund ta lartësojë këtë.

E njëjta logjikë është edhe në një “reality show” televiziv. Një pasqyrë e thjeshtë e realitetit të gjallë, por e rëndësishme për të kuptuar se cilët jemi dhe çfarë duam. Pa pasur pretendime për të thënë që kjo është e mirë e kjo është e keqe. Mjeshtëria gjigante e Fellinit kur xhironte skenat ishte që telekamera të sillte realitetin, ashtu siç ishte ai. Ta fotografonte dhe t’ia sillte me mjeshtëri spektatorit, duke i thënë ‘ne jemi këta...kjo është jeta’.

Televizioni i mirë nuk duhet të konsiderohet si transmetues i modeleve edukative. Nuk duhet ta bëjë këtë. Ndryshe do të ishte propagandë. Nuk duhet të stigmatizojë vlera apo gjykime. Nuk ka të drejtë. Është detyrë e të tjera institucioneve ta bëjnë.

Aq me tepër një “reality show” që është jeta e vërtetë dhe si e tillë meriton më shumë vëmendje. I vetmi vend ndoshta që na jep mundësinë duke vështruar diçka të kuptojmë më shumë për veten tonë. Kush jemi, nga vijmë e mbi të gjitha ku do të jemi nesër.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›