Skenderbeu-Dinamo akord per Muzaken
Në Korçë e japin thuajse për të përfunduar. Sipas burimeve pranë skuadrës së Skënderbeut, Gjergji Muzaka është lojtari më i ri që i shtohet kontingjentit të drejtuar nga trajneri Shkëlqim Muça në merkaton e janarit. Në fakt, optimizmi është i bazuar, sepse drejtuesit e bardhekuqve kanë gjetur akordin me Dinamon për transferimin e mesfushorit 26-vjeçar në qytetin juglindor. Megjithatë, mungon ende “OK” përfundimtar i futbollistit. Arsyeja zyrtare e dhënë për Muzakën janë shkaqet familjare, të cilat do ta komplikonin kalimin e tij. Megjithatë, rroga prej 10 mijë eurosh në muaj që presidenti i Skënderbeut, Agim Zeqo i ofron lojtarit, duket një shifër e parezistueshme. Muzaka është lojtari i tretë që duket fare pranë “ujqërve”, pas blerjeve të mesfushorit me tipare ofensive të Besës, Sokol Cikalleshi dhe ish-mbrojtësit të Shkumbinit, Renato Arapi. Lojtari, që deri në këtë pjesë të sezonit ka mbrojtur ngjyrat e Dinamos, vlerësohet si zëvendësuesi ideal i Refael Sozës, që duket se nuk do të kthehet më në Korçë.