E Diel, 1 Nëntor 2026

Realizëm, ndjenjë njerëzore dhe modernitet

Shpërthim befasues i një artisti 75-vjeçar


Befasia është e pranishme sa herë ndodh një manifestim artistik me vlera, si ekspozita personale e Hasan Nallbanit, e hapur më 20 maj në Galerinë Kombëtare të Arteve.

Vlerat e pikturës së Nallbanit mund të përmblidhen kryesisht në frymën e saj moderne, dhe më hollësisht në kompozimin, vizatimin dhe gamën e gjetur koloristike.


Së pari, fryma moderne shfaqet tek ai si e prejardhur jo nga ndikimet e artit për art, por nga përjetimi i realitetit, pra nga jeta.


Lidhja e artit me jetën u zhvleftësua në periudhën e diktaturës për shkak të porosive nga lart, që jeta e paraqitur në art të ishte patjetër optimiste dhe revolucionare, pra false.


Kësisoj, pashmangshmërisht, shumë nga artistët tanë, të ndodhur në liri, hoqën qafe çdofarë porosie (edhe të arsyeshme) rreth pasqyrimit jetësor në art, dhe u përqendruan tek arti i huaj, duke mësuar prej tij, pra duke u ndikuar pa çarë kokën për përjetime të jetës në kushte të reja.


Disa i patën këto përjetime, por nisën t'i shprehnin me metafora, kurse ndonjëri trajtoi mjerimin e skajshëm të shoqërisë për faj të politikës me mënyra gati simbolike.


Hasan Nallbani jo. Ai qysh herët u përqendrua tek fenomenet sociale dhe i shprehu me mjetet e mirëfillta të pikturës së kavaletit dhe pa iu ndarë realizmit. Për të ardhur këto ditë tek kjo arritje e punës së tij me temën e vajzave të rëna në prostitucion.


Duket qartë se autori e ka ndjekur e studiuar këtë dukuri "in loco", d.m.th., në trotuaret e Evropës. Me rezultate mbresëlënëse! Një pikturë e mbushur me realizëm, ndjenjë njerëzore dhe modernitet.

Vendosja që ai u bën vajzave në sfondin e qytetit të madh dhe gjallëria e veçantë e shprehjeve të tyre, raporti i thellë mes të dyjave, mes ftohtësisë së ambientit dhe ngrohtësisë së varfër që rrezatojnë ato në fatin e tyre të dënuar, dëshmojnë për një ndjeshmëri të hollë të autorit, ndaj atij flladi të hidhur, ngjethës ndajnatëherë që simbolizon më mirë se çdo gjë vetminë e paapelueshme të vajzave të rrugës në imensitetin e metropoleve, ku ato duhet të durojnë çdo farë horri për të mbijetuar.


Por ajo që përsos edhe më këtë dramë në kanavacë është shprehja gati e qeshur e njëherazi e venitur e disave prej atyre fytyrave, një e qeshur që përbën tiparin më prekës, sëmbues të soditjes tonë përballë vuajtjes së mitur dhe adoleshencës së pambrojtur.


Të dalin përpara portrete të goditura dhe të panumërta nga jeta e rrugës, ato flasin për finesën dhe fuqinë evokative e psikologjike të autorit, të barazvlefshme me poezinë.


Diku-diku, një dritë hënore që ndriçon disa fytyra e kërcinj të japin atë zemërndrydhje tipike që e gjejmë tek arti i mjeshtërve evropiane, që kanë trajtuar cirkun me turmën.


Së fundi, rezistenca që i bën ai prirjes mediokre për "të saktësuar" diçka në qytetin e madh, të cilin ai, përkundrazi, e paraqet si një shkreti amorfe të mbipopulluar, ku individi përballet me një gri të gjithmbarshme e përthithëse dhe me drita të paarritshme, e bën Nallbanin një artist me vizion dhe intuitë të pagabueshme.


Edhe mjetet e tij teknike janë në lartësinë e këtij vizioni. Penelata e tij është energjike dhe bujare, trupat vizatohen gati-gati drejtpërdrejt nga ndjenja dhe ajo hedh poshtë çdo vërejtje për përpikëri, si zemërngushtë në atë raport shpirtmadh mes esenciales dhe formales, dhe arrin kjo mënyrë e tij në disa tablo (p.sh., "Gruaja me fëmijë") në një shmangie të ndërgjegjshme të korrektësisë me qëllim nënvijëzimin e dhembjes, siç ndodh që muzika të kulmojë me britmën.


Duhet përgëzuar dhe falënderuar Hasan Nallbani për këtë kënaqësi estetike që na fal dhe për këtë sfidë serioze që u hedh artistëve tanë - së paku gjithë atyre që kanë të dhëna për realizëm - dhe jo vetëm brenda fushës së pikturës.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›