Kartat, PS padi penale krerëve të Ministrisë së Brendshme
Objekti i padisë është manipulimi i të dhënave zyrtare prej MB-së, lidhur me procesin e pajisjes së shtetasve pa pasaportë me letërnjoftime elektronike
TIRANË- Korrespondenca njëjavore mes selisë rozë dhe Ministrisë së Brendshme lidhur me çështjen e kartave të identitetit ka përfunduar me një kallëzim në prokurori.
Partia Socialiste ka bërë gati padinë penale kundrejt drejtuesve të Ministrisë së Brendshme dhe në ditët në vijim pritet ta depozitojë atë në organin e akuzës. Objekti i saj është manipulimi i të dhënave zyrtare prej këtij institucioni lidhur me procesin e pajisjes së shtetasve pa pasaportë me letërnjoftime elektronike.
Një lajm të tillë e ka bërë të ditur dje sekretari socialist për çështjet zgjedhore, Kastriot Islami i cili është edhe autori i një sërë letrave që PS-ja i ka dërguar gjatë javës së shkuar Ministrisë së Brendshme, për të marrë informacionin e plotë lidhur me tre kërkesa: marrja e listës së plotë të shtetasve, që kanë pasaportë, listën e plotë të shtetasve që kanë aplikuar dhe listën e plotë të shtetasve që kanë marrë në dorë kartën e identitetit.
Ai ka bërë të ditur se, nga analiza paraprake që i është bërë informacionit të servirur prej kësaj ministrie lidhur me tri kërkesat e mësipërme, janë vënë re mospërputhje të mëdha të të dhënave për të njëjtat çështje, çka sipas tij përbën një argument të fortë për ngritjen e akuzës së shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të të dhënave prej drejtuesve të këtij dikasteri.
"Mjaftojnë kundërshtitë dhe faktet e nxjerra nga analiza e vetë informacionit që kemi marrë nga Ministria e Brendshme për të ngritur hipotezën e akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të të dhënave zyrtare përmes dhënies se informacionit të rremë për qëllime që bien ndesh me ligjin. Informacionet e MB-së, duke rënë ndesh me njëra-tjetrën në mënyrë flagrante dhe duke u shfaqur të ndryshme nga njëri disk tek tjetri, rezultojnë jo vetëm të rreme, po edhe të manipuluara", - tha Islami.
Më konkretisht, socialistët këmbëngulin se shifra zyrtare prej 730 mijë votuesish pa pasaportë, mbi të cilën Ministria e Brendshme ka këmbëngulur dhe ka organizuar punën e saj, rezulton e pavërtetë dhe e zvogëluar ndjeshëm.
Gjithashtu, ata evidentojnë se numri i personave që kanë aplikuar rezulton kontradiktor dhe ndryshon nga njëri disk në tjetrin, duke nxjerrë për votuesit pa pasaporte një shifër të zmadhuar, në kundërshtim me të dhënat e përgjithshme dhe shifrat e dhëna në dinamikë gjatë këtij procesi.
"Në këto kushte, kur nga njëra anë na jepet vetëm një pjesë e të dhënave, të cilat rezultojnë alarmante, të rreme e të manipuluara, dhe nga ana tjetër na fshihet me këmbëngulje lista e qytetarëve me pasaportë, si edhe lista e plotë e aplikantëve të deritanishëm për letërnjoftim, PSSH-ja po përpilon kallëzimin penal për drejtuesit e lartë të Ministrisë së Brendshme që merren direkt me këtë proces.
Të gjitha këto konkluzione paraprake janë rezultat i një ekspertize të nivelit më të lartë teknik dhe do të thellohen në orët në vazhdim nga grupi ynë i ekspertëve", - u shpreh dje Islami.