Realizimi 6-mujor i investimeve 9,7% më i ulët sesa vjet, gjysma e tenderave dështojnë
Gjatë gjashtë muajve të parë niveli i investimeve të realizuara nga qeveria shqiptare është 9,7 për qind më i ulët sesa realizimi i vjetshëm i investimeve për të njëjtën periudhë. Të dhëna zyrtare bëjnë me dije se gjatë këtyre muajve janë investuar saktësisht 120 milionë dollarë, duke zënë afërsisht 16 për qind të nivelit vjetor të investimeve. Vlera e investimeve prej 120 milionë dollarësh e krahasuar me planin e këtyre gjashtë muajve zë rreth 70 për qind, ndërkohë që vjet kjo vlerë ishte mbi 78 %. Ministri e Financave është e shqetësuar për këtë nivel të investimeve dhe ajo ka kërkuar nga të gjitha ministritë që të realizojnë në afate investimet, përndryshe ajo do të shpërndajë paratë në projekte të tjera investimesh. Një prej arsyeve kryesore, pse investimet janë realizuar në nivele të ulëta dhe kanë thelluar hendekun mes të ardhurave dhe shpenzimeve, është pafuqia e administratës, por kjo është ndihmuar edhe nga shumë arsye të tjera, siç janë bashkëpunimi jo i mirë me disa njësi të qeverisjes vendore dhe pafuqia në disa raste e kompanive të ndërtimit, të cilat nuk arrijnë t’i përfundojnë në kohën e caktuar punimet. Kjo bën që ato të mos mund të marrin pará të tjera. Gjatë këtyre gjashtë muajve të parë ishin parashikuar të zhvilloheshin rreth 230 tendera, nga të cilat në fakt janë zhvilluar pak më shumë sesa gjysma (110 syresh). Një pjesë e tenderave nuk janë zhvilluar fare dhe një pjesë tjetër më e madhe kanë dështuar për arsye të ndryshme. Zyrtarë të Ministrisë së Financave thanë se ligji i prokurimeve i përmirësuar vitin e shkuar në përpjekje për të mos lejuar praktika korruptive në tendera i ka bërë shumë më të ndërlikuar dhe kjo bën që një pjesë e tenderave të vonohen ose shtyhen. Situata me investimet është vërtet shumë e keqe, kur dihet se gjatë gjashtë muajve që do vijnë janë parashikuar të investohen rreth 600 milionë dollarë investime të parashikuara që në buxhetin e miratuar fundvjeshtën e shkuar. Kësaj shifre do t’i shtohet edhe një fond tjetër investimesh prej mbi 200 milionë dollarësh që do të pasqyrohet në buxhetin e ri shtesë që pritet gjatë këtyre ditëve të shkojë në parlament. Kjo vlerë e madhe investimesh prej mbi 800 milionë dollarësh do të duhet të investohet në gjashtë muaj, në një kohë që gjatë gjashtë muajve investimet mezi kaluan 100 milionë dollarët. Ministria e Financave shpreson që realizimi i këtyre 6 muajve të jetë më i lartë se sa tregojnë të dhënat e mësipërme, pasi shpreson që situacionet e punimeve në disa objekte të paraqesin një tjetër gjendje, kur të dorëzohen. Mosrealizimi i investimeve në një shkallë të tillë kaq të lartë dhe rritja e hendekut me të ardhurat, të cilat kanë tejkaluar planin, do të ketë efektin e vet gjatë këtyre muajve, pasi futja e rreth 800 milionë dollarëve në investime (në rast se mund të ngjasë), do të rrisë çmimet e konsumit në mënyrë të ndjeshme.