E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në drejtësi ka njerëz që duhet të dalin para ligjit

Po ta gjykosh demokracinë shqiptare nga ligjet që kemi në letër, ajo duhet të merret si model edhe nga disa vende perëndimore, por në realitet gjërat janë ndryshe. Në 18 vitet e fundit politika shqiptare ka ndërruar ideologjinë, por jo mendësinë. Nga ideologjia komuniste është kaluar në ideologjinë e integrimit – edhe kjo me tendencë internacionalizmin, ndërsa mendësia dhe veprimet kanë qenë të formatit komunist. Për të kuptuar demokracinë “perëndimore” të shqiptarëve, mjafton ky ilustrim: Komunizmi ishte një makinë tip “Bǔ që ecte drejt Moskës, integrimi është po ajo “Bǔ duke ecur drejt Brukselit.

Tani mund të mos ketë dënime politike për tradhti ndaj atdheut, ndaj kampit socialist etj, por ka dënime për kundërshtarët politikë, duke përdorur metoda më të kamufluara. Edhe për lirinë e fjalës funksionon e njëjta logjikë, mund të mos të të dënojë kush për agjitacion e propagandë, por gazetarët kritikë ndaj një partie politike apo personi të caktuar mund të penalizohen në mënyra të ndryshme – me ndërhyrje te pronarët për t’i larguar nga puna, me gjoba pas ankesave në gjykatë ose edhe burgim.

Vitin e kaluar, unë u arrestova, kur sa po dilja nga redaksia e gazetës “TemA-s, u mbajtja dy javë në qeli, dy muaj në arrest shtëpie dhe një vit nën tensionin e seancave gjyqësore, për shkak se isha i punësuar në një gazetë që ishte kritike ndaj Partisë Socialiste, ndaj ish-presidentit Moisiu dhe ish-kryeprokurorit, Sollaku. Arrestimi u motivua “juridikisht” nga Partia Socialiste, iu dha mbështetje me një mbledhje të ish-presidentit me prokurorët dhe u zbatua nga ish –kryeprokurori, Sollaku. Këtu ka nevojë për një kujtesë: Partia Socialiste është trashëgimtare e Partisë së Punës, ish-presidenti Moisiu është edhe ish-zëvendësministër i qeverisë së Adil Çarçanit, kryeministrit të fundit të regjimit komunist, ndërsa Dhori Sollaku dhe prokurori, të cilit ai i ngarkoi çështjen, Bilbil Mete, janë pjesë e sistemit të drejtësisë që jepte dënime politike. Këto ingranazhe të “Bǔ që ecte drejt Moskës, vazhdojnë të jenë ingranazhe të “Bǔ që ecën drejt Brukselit. Në mënyrën e tyre të funksionimit nuk ka ndryshuar asgjë.

Bilbil Mete më akuzoi mua dhe Artur Roshin – kryetarin e Ballit Demokrat, një parti tradicionalisht antikomuniste, për veprimtari kundër Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, ashtu si dikur i dënonte njerëzit për veprimtari kundër pushtetit popullor. Dhe po sipas logjikës së drejtësisë komuniste, ndërsa ne ndodheshim të izoluar në gjendje arresti, prokurori Mete jepte konferenca shtypi me akuza kundër nesh, po na demaskonte në publik.

Kryeprokurori Sollaku vazhdonte në të njëjtën linjë. Në emisionin “Top Story”, në prillin e 2007, ai deklaroi se “Roshi nuk u paraqit në prokurori dhe ne nuk mund ta lejonim t’i bënte karshillëk prokurorisë”, jo vetëm kaq, “ata më bënin karshillëk, duke e mbushur rrugën para prokurorisë me postera “Votoni Ballin Kombëtar Demokrat”.

Deklarimet e të dyve janë të regjistruara.

Një vit e gjysmë më vonë, gjërat për mua dhe zotin Roshi janë sqaruar, tashmë e kemi të vërtetuar pafajësinë tonë edhe nga gjykata. Falë zotit, jo të gjithë kanë luajtur prej fiqirit në sistemin tonë të drejtësisë. Aty ka edhe profesionistë të zotë, por ata që janë me mentalitet “Bǔ-je janë më të shumtë.

Por ingranazhet e “Bǔ sovjetike vazhdojnë punën e tyre të dëmshme. Bashkëshortja e zotit Sollaku vazhdon të kërkojë miliona nga gazeta “TemA”, për arsye se kolegët e mi kërkuan me anë të një shkrimi të dinin më shumë rreth vrasjes së shoferit të ish-kryeprokurorit nga banda “Hakmarrja për Drejtësi”, në praninë e saj, ndërkohë që nuk ka hapur ndonjë çështje kundër biznesmenit grek që akuzonte se ajo, me vendimin e saj si gjyqtare, i ka tjetërsuar pronën. Ata që duhen të ndëshkohen nga drejtësia janë gjyqtarët që abuzojnë me pronën e tjetrit, gjyqtarët që urdhërojnë arrestimin e gazetarëve të pafajshëm, apo prokurorët që veprojnë për hakmarrje politike dhe jo gazetarët që rrezikojnë me jetën për të nxjerrë në dritë të vërtetën. Vetëm nëse do të ndodhte kështu në realitet, do të kishim demokraci perëndimore, si ajo që parashikojnë ligjet e shkruara në letër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›