Republikanët, “të persekutuarit” e rinj
Partia Republikane është realisht një parti e persekutuar në vitin 2008. Pas skandalit të Gërdecit dhe penalizimit publik, politik dhe juridik të kryerepublikanit Mediu, republikanët e tjerë janë tulatur dhe nuk dinë më ç’të kërkojnë. Në nxitim e sipër, duke e marrë lehtë, siç i merr Mediu gjërat, ata u bënë trima dhe deklaruan se, derisa të zbardhet çështja e Gërdecit, ata nuk do të futen në qeveri. Por, siç po shkojnë punët, zbardhja e çështjes së Gërdecit do të vonojë aq shumë, sa shqiptarët do të harrojnë se republikanët kanë qenë ndonjëherë pjesë e qeverisë. Për këtë ata po përpiqen të bëjnë një plan të ri se si ta korrigjojnë këtë deklaratë të nxituar.
Versioni i parë është që Arian Madhi të bëhet zëvendëskryeministër dhe me këtë zgjidhje është shumë i kënaqur dhe kryeministri Berisha. Madhi ka dëshmuar se, sa herë futet në qeveri me demokratët, nuk largohet dhe kur largohen republikanët. Por këtë zgjidhje nuk e pëlqen Mediu, pasi në historinë e Partisë Republikane Madhi do të shënohet si zyrtari me karrierë më të lartë shtetërore dhe kjo mund të rrezikojë të ardhmen e Mediut në parti. Kjo e ka mërzitur aq shumë zotin Madhi, sa i duken shumë të zbehta kritikat që bëhen për çështjen e Gërdecit.
Varianti i dytë është që të bëhen ndryshime në qeveri dhe zoti Garuli të avancojë ministër i Mjedisit dhe Ujërave. Kjo është dhe një përgjigje e mirë për gjithë ata që thonë se republikanët na ndotën mjedisin në Gërdec. Ata do të dëshmojnë gatishmërinë e tyre për ta ndrequr atë që bëri pa dashje kryetari i tyre. Por ky variant sërish nuk merr pëlqimin e Mediut, pasi thotë se republikanët nuk mund të marrin ato që lë Xhuveli.
Versioni më serioz është që kryetari i Nderit i kësaj partie, Sabri Godo, të bëhet zëvendëskryeministër. Kur ia thanë Berishës këtë propozim, u gëlltit disa herë dhe tha se i dukej teprim që një post, i cili nuk i ishte dashur kurrë, t’i jepej zotit Godo, për të cilin ai thotë gjithmonë që ka respekt. “Ja, shikojeni, - tha, - kam tri muaj pa zëvendëskryeministër dhe asgjë nuk ka ndryshuar. Pra, nuk është se duhet shumë si post dhe nuk ia vlen që zotin Godo ta konsumojmë për një post të tillë.”
E vetmja rrugëzgjidhje është që të hetohet se kur do të mbarojnë hetimet për Mediun, që republikanët të qetësohen se si do të shkojë filli i tyre. Ina Rama, e cila u informua për këtë problem, pasi hodhi paksa balluket mënjanë para kamerës, tha se “prokuroria po heton me seriozitet çdo detaj nga dosja e Mediut dhe bashkëpunëtorëve të tij. Kur them bashkëpunëtorë, - tha ajo, - nuk kam parasysh Partinë Republikane, por njerëz të administratës.”
Zoti Godo, që dëgjoi shpjegimet e saj, tundi kokën i dëshpëruar.
- I pata thënë Mediut, - tha, - të mos i fuste gjithë republikanët në Ministri të Mbrojtjes. Hajde nda shapin nga sheqeri tani, do të shkojnë të gjithë si qeni në vresht. Iu iku gjithë jeta të persekutuar njerëzve. Pritën 17 vjet të vijnë në pushtet dhe prapë shkuan nëpër burgje. S’panë një ditë të bardhë s’panë.
- Po pse, tani u kujtove për persekutimin tonë ti? - i tha Arian Madhi. - Po ti që ke dhjetë vjet që na ke lënë në dorë të Mediut, pak të duket?!