E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rebelët libianë rimarrin Al-Kavalishin

Kryengritësit libianë kanë deklaruar se kanë rimarrë kontrollin e një qyteti në jug të Tripolit, duke rritur shpresat për një marshim në kryeqytet.

“Reuters” raporton se rimarrja e qytetit të Al-Kavalishit është bërë një ditë pas luftimeve të ashpra midis rebelëve dhe forcave besnike të Muamer Gadafit.

Rebelët kanë deklaruar se pesë nga luftëtarët e tyre janë vrarë dhe 15 të tjerë janë plagosur.

Prokuroria e Përgjithshme e Libisë ka akuzuar kreun e NATO-s, Anders Fog Rasmusen, për krime lufte, për vrasjen e civilëve të pafajshëm dhe bombardimin e trupave civile në Libi.

Ndërkohë, Këshilli Kombëtar i Tranzicionit, një organ i rebelëve me seli në Bengazi është njohur nga Holanda, Belgjika dhe Luksemburgu si përfaqësues legjitim i Libisë.

Tre shtetet u janë bashkuar mbi 20 vendeve të tjera, të cilat e kanë njohur tashmë këtë këshill.

Në një takim në Bruksel, Bashkimi Evropian u ka ofruar rebelëve libianë ndihmë në reformat demokratike, kur lufta të ketë përfunduar.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›