Rebelët sirianë inspirohen nga lëvizjet e Messit

Sipas rrjetit televiziv, pasimet e tij dhe sidomos ‘magjitë’ e futbollistit më të mirë në botë, në të vërtetë shërbejnë për t’u treguar grupeve kriminale lëvizjet që duhet të bëjnë për të kaluar në mënyrë ilegale armët nga Turqia.
Televizioni privat “Al Dunya”, i cili njihet si pjesë e “klanit Al Assad”, ka transmetuar imazhe të disa prej aksioneve të Barcelonës në ndeshjen e fundit me Real Madridin, që u transmetua nga televizioni “Al Jazeera”, dhe i ka bashkëngjitur disa copëza letre që sipas komentatorit, u korrespondojnë zonave në kufi me Turqinë.
Sipas pamjeve, pasimet dhe lëvizjet e Messit e shokëve të tij, kanë shërbyer për të treguar rrugën që duhet ndjekur për të shmangur kontrollet e trupave besnike të regjimit, deri në qytetin Dir al-Zur.
Sipas komentatorit të televizionit sirian, futbollistët përfaqësojnë “kontrabandistët” dhe topi, vendet ku ndodhen armët. Nuk është e qartë nëse realisht “shënjestra” e televizionit sirian janë lojtarët e Barcelonës apo Al Jazeera.