Recital i dy sopranove
Teatri i Operës dhe Baletit vijon "Koncertet e Vjeshtës" me recitalin e dy sopranove, Eriona Gjyzeli dhe Sonila Baboçi. Koncerti mbahet sonte në mbrëmje, ora 19.00, në hollin e TKOB-së, nën drejtimin e mjeshtres Donika Çili.
I ftuar në këtë recital është edhe violonçelisti Mario Guralumi. Pas këtij koncerti, Teatri i Operës sjell për herë të parë veprën e kompozitorit amerikan George Gershwin, muzikalin "Porgy and Bess".
Ambasadat në garë për kulturën
Gjithandej, nëpër Tiranë sidomos në institucione kulturore, të zë syri postera aktivitetesh kulturore. Pas një muaji kulture të organizuar nga Ambasada gjermane, "Tetorit gjerman", Fondacioni Grek i Kulturës solli në kinema "Ditët e Filmit Grek", e më pas Ambasada Spanjolle vijoi me "Javën e Kulturës Spanjolle".
Pas dy ditësh hapet "Java Kulturore Austriake" e cila sjell një sërë aktivitetesh nga data 12 deri më 17 tetor. Performanca audiovizuale në Bienale, net jazzi me instrumentistë të huaj dhe shqiptarë, ekspozita pikture dhe koncerte do të mbushin pesë ditët e kulturës austriake.
Tani Tirana ka ç't'i ofrojë kryeqytetasve dhe vizitorëve, por kur "javëve" dhe "muajve" të ambasadave t'u vijë fundi, çdo të ndodhë? Përballja me artistët dhe eksperiencat e huaja na bën shumë mirë, por a mbahet një arti i një vendi vetëm me import kulturor!?