Mbyllet pa afat tuneli i Kalimashit
Ministri Sokol Olldashi pranon dështimin e tunelit që u inaugurua një ditë përpara zgjedhjeve nga Sali Berisha
TIRANË- Qeveria Shqiptarë pranon zyrtarisht mospërfundimin e punimeve në tunelin e Kalimashit duke ndërprerë punimet për një kohë të pacaktuar deri në përmbylljen e tyre. Nderkohë, qarkullimi i automjeteve do të behet përmes rrugës së vjetër.
Ministri i Punëvë Publike Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, doli dje në një konferencë për shtyp ku theksoi se mbyllja do të fillojë nga ora 19.00 e ditës së Diel me një afat ende të papërcaktuar.
Sipas Olldashit, ndalimi i qarkullimit në të dy tubat e tunelit të Kalimashit bëhet me qëllim lejimin e kompanisë ndërtuesë të instalojë pajisjet elektromekanike dhe rregullimin e një pjese të tij, cila është dëmtuar nga presioni i dherave. "Duke filluar nga ora 19.00 e ditës së diel, datë 11 Tetor 2009, tuneli i Thirrës, në segmentin Rrëshen - Kalimash, do të mbyllet.
Tuneli do të mbyllet me qëllim që t'i jepet mundësi kompanisë ndërtuese të përfundojë instalimin e pajisjeve elektromekanike, të domosdoshme për funksionimin e tij, si dhe për të sistemuar presionin e krijuar nga një shtresë gjeologjike jo e qëndrueshme në një segment të vogël, një situatë kjo e paparashikuar, për të cilën kontraktori po punon në vijimësi", - tha ai.
Një muaj më parë, kompania që punon në ndërtimin e këtij segmenti i kërkoi MPPT-së mbylljen e tunelit të Kalimashit deri në përfundimin e punimeve për shkak të problemeve të shumta që ishin shfaqur gjatë punimeve në të. Kërkesa e kompanisë u pranua pjesërisht duke lejuar mbylljen e tij nga ora 19.00 deri në 07.00 në mënyrë që të krijohej mundësia për vazhdimin e punimeve.
Pavarësisht kësaj, kompania ndërtuese e pati të pamundur kryerjen e të gjitha punimeve në tunel vetëm gjatë orëve të natës prandaj vetëm dy ditë më parë ka kërkuar mbylljen e tij deri në përfundimin e plotë të tyre.
Njera nga anët e tunelit të Kalimashit, u hap për qarkullimin e automjeteve në 25 qershor të këtij viti, vetëm dy ditë para zgjedhjeve parlamentare ku i ftuari i nderit i Kryeministrit Sali Berisha ishte edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.
Por, vetëm tri ditë pas fillimit të qarkullimit, trafiku në tunelin e Kalimashit është lejuar vetëm gjatë orëve të ditës, ndërsa duke filluar nga ora 23:00 deri në 07.00 brenda tij kryheshin ende punime.
Nderprerja e qarkullimit në tunel, gjatë orëve të natës ishte paralajmëruar edhe nga drejtuesit e firmës menaxhuese të tij "Savronik"dhe ato të kompanisë ndertuese "Bechtel&Enka" që në ditën e perurimit.
Në ditën e perurimit me 25 qershor, tuneli nuk kishte përfunduar plotësisht, rreth 1 kilometër kishte mbetur pa u betonuar me të ashtëquajturin beton zbukurimi. Pjesë kjo e cila për shkak te presionit të dherave është zhvendosur duke e bërë të domosdoshme ndërhyrjen nga ana e kompanisë për ta sistemuar.
Shkodër, rruge e re për të shmangur trafikun
SHKODËR - Nevoja për shtrirje të qytetit të Shkodrës, e diktuar nga rritja e numrit të banorëve të tij, ka bërë që bashkia e këtij qyteti të angazhohet në hartimin e një projekti që do të zgjidhte disa probleme për kryeqendrën e veriut. Një i tillë është "By-Pas-i" në liqenin e Shkodrës. Rruga lidhëse, rreth 4,5 km e gjatë do të shtrihet nga brigjet e liqenit të Shkodrës në hyrje të qytetit ku përfshihet edhe lagjja Kiras.
Kjo është një ndër lagjet periferike me shtim të ndjeshëm të popullsisë në 20 vitet e fundit dhe me mjaft probleme sociale e urbanistike. Më pas rruga do të përshkojë edhe zonën e njohur si Livadhet tek ish-ndërmarrja e Zooteknikës, për të përfunduar në lagjen Rus duke bërë lidhjen e këtij segmenti me autostradën Shkodër-Han i Hotit.
Drejtuesit e Bashkisë së Shkodrës shprehen shumë optimistë për këtë projekt dhe pohojnë se tashmë ka nisur puna për hartimin e tij nga specialistë të drejtorisë së përgjithshme të rrugëve. Në projektin e bashkisë Shkodër për këtë "By-Pas" dhe shtrirjen e qytetit drejt liqenit, parashikohet që rruga të jetë e gjerë 54 m, me katër korsi me zona të caktuara për lëvizjen e këmbësorëve dhe biçikletave.
Drejtuesit e Bashkisë, shprehen se përveç ndikimit që do të ketë në turizëm, zhvillimin e lagjeve periferike, zgjerimit të qytetit, një projekt i tillë do të shërbejë dhe si argjinaturë për liqenin, duke penguar daljen e tij gjatë mbushjes me ujë. Sipas tyre, pritet që projekti në fjalë të realizohet brenda vitit të ardhshëm.