E Diel, 1 Nëntor 2026

Redaksionale/Dekorimet, një sugjerim për presidentin Topi

Opinioni i brendshëm në vend, veçmas ai antikomunist, i ndjeshëm nga vlerësimi i disa individëve me profile gati të njëjta, ka shprehur keqardhjen e tij kur ka parë të hipin në podiumin e nderit dhe të dekorohen disa individë që nuk e meritojnë një nder të tillë. Gati-gati sa nuk ka shpërthyer në thirrje se “kanë plasur dekoratat”. Individë që nuk kanë lënë asnjë gjurmë pozitive në jetën e këtij vendi, si duket të sigurt e kanë një dekoratë. Individë që i kanë marrë jetën tjetrit të paraqitur dikur si prokurorë, gjyqtarë, hetues, komisarë, etj, e sot të veshur me mantelin “kapitalist” të “konstitucionalistit”, “juristit”, etj, po dekorohen për nder të “meritave” të shfaqura ndër vite. E thënë më përmbledhtas, shtresa e shumëvuajtur e antikomunistëve nuk mund të shfaqë asnjë lloj entuziazmi përveçse një brengosje të thellë që sigurisht shkon shumë më tepër se kaq.
Duke qenë se Autoriteti i kreut të shtetit nuk duhet të dëmtohet nga precedentë të tillë, është i nevojshëm funksionimi i mekanizmave që do të mund të parandalonin këto veprime të kryera me shumë nga dy paraardhësit e z.Topi; zz.Meidani e Moisiu.
Politikë të gabuar me dekorimet ndoqi ish-presidenti Meidani. Këtu mund të quhet “liberator i vërtetë”. Përveç ndonjë dekorimi-qokë si për “Radistin”, mund të përmendet “Nderi i Kombit” Rexhep Qosja, një person që më së shumti injorohet dhe urrehet në Kosovë, një individ që ishte për autostradë bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe një vendi problematik si Irani.
Politika e dekorimeve për fat të keq po arrin një standard të padëshiruar, duke sjellë në opinion përfundimin se ata që po dekorohen në të shumtën e rasteve nuk e meritojnë.
Për inat të historisë, ata që e meritojnë dhe ata që nuk e meritojnë kanë shkëmbyer vendet me njëri-tjetrin. Njeriu me vlera e ka të pamundur të vlerësohet, ndërsa personazhi negativ me dy-tri ndërhyrje këshilltarësh paraqitet si “njeri i madh”, “njeri i shekullit”, etj.
Prokurorë të regjimi komunist, gjyqtarë që kanë dhënë vendime me varje në litar për antikomunistët, njerëz me vlera të dyshimta, pseudohistorianë, pseudoshkrimtarë, plagjiatorë mediokër etj, kanë zënë vendin e nderit tashmë duke varur mbi xhaketat e vjetra dekoratat e reja të një regjimi tjetër të ndryshëm nga ai i shërbyen për 40 vjet.
Dekorimi ishte stimuli më i lartë moral gjatë kohës së komunizmit. Me qindra e qindra dekrete të Presidiumit të Kuvendit Popullor iknin e vinin mbi xhaketat e personave të profesioneve e moshave të ndryshme me raste e pa raste. Komunizmi na la një trashëgimi antivlerash me të cilën përfaqësohemi akoma. Të ashtuquajturit “Heronj të Popullit” në pjesën më të madhe janë komandantë të Divizionit të Mbrojtjes së Popullit, oficerë të Sigurimit të Shtetit, militantë komunistë, të vlerësuar për ndjenjën e lartë të luftimit të kundërshtarëve politikë. Në bazë të kësaj lufte ata kanë marrë meritat.
Mirë atëherë, po sot mbi ç’bazë duhet të vazhdojë kjo “traditë”?
Është e pafalshme për institucionin dekoratdhënës të japë vlerësime për individë të provuar për shërbime ndaj shteteve armiq me Shqipërinë të vlerësohen e të ngrihen në qiell për vlera të mëdha. Një rast i tillë ka qenë me Dhora Lekën, të vlerësuar aq shumë nga presidenti Moisiu. Nuk ka qenë as më pak e as më shumë përveçse një agjente e jugosllavëve, frekuentuese e rregullt e sekretarit të parë të legatës jugosllave në Tiranë dhe më pas e rekrutuar nga Sigurimi i Shtetit. Kush mban përgjegjësi për dekoratën që mori Dhora Leka?
A mund të dekorohet prokurori që dënoi revoltën e Qafë-Barit? Si mund të dekorohet Njazi Jaho? Pika e “konstitucionalistit” të Njaziut. Edhe sikur një jete tjetër të jetojë nuk mundet të balancojë vitet si hetues e prokuror i gjyqeve politike. Nëse Njaziut i duhen kujtuar disa emra, është me vend të thuhet se dekorata meritonin viktimat e tij si: Shaban Adil Hoxha, Islam Bajram Biçaku, Mersin Sherif Cërriku, Sytki Arif Zaimi, Muhazez Hajdar Biçaku, Sami Sulejman Blloshmi, Jorgo Sotir Patazi, Jakup Yzeir Lamçe, etj. U kërkojmë ndjesë personave të tjerë viktima të Njazi Jahos që nuk i përmendim dot për shkak të faqeve të shumta që do të na duheshin, por që mund t’i bëjmë të njohur një herë tjetër.
A u konsultua ish-presidenti me institucionet që kanë informacion të hollësishëm për të kaluarën e saj? E pra shteti i ka të gjitha mekanizmat e duhur që të vlerësojë jetën e dukshme e të padukshme të individëve, kontributet ose dëmet e tyre në shoqëri. Natyrisht që efekti mbi shoqërinë është më i madh sesa dekorata që ata marrin.
Është e qartë se defekti i madh i dekorimeve nuk fillon te presidenti por tek ato që sjellin propozimet dhe te këshilltari i sotëm juridik i ngelur nga koha e zotit Moisiu që i noterizon ato. Në të kundërt, për defekt të funksionimit të sistemit, presidentit i duhet të lëvizë në mjediset shoqërore kualitative, që frymëzojnë për veprime që sjellin vlera.
Nga një shikim i përgjegjshëm do të vëresh se pikërisht njerëzit që kanë bërë Shqipërinë, kanë qenë më të pavlerësuarit. Për shembull At Shtjefën Gjeçovi ka ngelur akoma me një urdhër të fundmë vlerësimi që nuk do të kishte rëndësi as ta përmendje në emër e në klas.
Po a kanë nevojë titujt e dhënë në atë kohë për ndërmarrjen e një procesi verifikimi. Dekoratat e kohës së komunizmit përbëjnë më vete një nevojë për rishikim. Nga njëra anë ato mund të quhen nul, sepse janë dhënë nga një institucion që nuk ekziston më (Presidiumi i Kuvendit Popullor). Por nga ana morale meritonte të bëhej një veprim që t’i hiqte të fletën e nderit njerëzit që kanë ushtrua gjenocid në vendin më të varfër të Europës.
Si përfundim mund të themi se ka ardhur koha që të meritojnë dekorim njerëzit që nuk janë vlerësuar e të mos ndodhë që për shembull juristë të kushtetutës kriminale të 1976-s si Luan Omari të dekorohen në kuadër të ndonjë përvjetori apo qoke shoqate.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›