E Shtunë, 31 Tetor 2026

Redon Lila: Naftëtari nuk e meriton vendin e fundit në renditje

Nga ARBEN ÇEPANI

Sulmuesi kuçovar shprehet se klasifikimi i skuadrës në Kategorinë e Parë nuk i përgjigjet lojës së zhvilluar deri në këtë fazë të kampionatit

Sulmuesi Redon Lila shpreson që Naftëtari të ketë një ecuri më të mirë në gjysmën e dytë të fazës së parë. Sipas futbollistit kuçovar, pavarësisht pozicionit në renditije duhen bërë më shumë përpjekje për një ecuri më pozitive në takimet e radhës në kampionat.

Bilanci në tetë ndeshjet e para të Kategorisë së Parë nuk është aspak i mirë për Naftëtarin, që rrezikon seriozisht zbritjen në një kategori më poshtë. Gjithsesi në kampin kuçovar shpresohet se gjithçka mund të përmirësohet në ndeshjet e mbetura të fazës së parë. Sulmuesi Redon Lila, i cili rikthehet në skuadër pas pezullimit 1-javor, mendon se Naftëtari i ka të gjitha mundësitë për të qenë më rezultativ në ndeshjet e ardhshme.

”Realisht jemi në një pozicion jo të mirë, ku vendi i fundit nuk i shkon për shtat Naftëtarit, kjo për vetë lojën që kemi zhvilluar, e cila nuk ka qenë në nivele të ulëta. Mendoj se nuk duhet të dorëzohemi, ku pavarësisht pozicionit të renditjes duhet të shpresojmë dhe të besojmë deri në fund. Tri pikë janë shumë pak për ne, ku mbi të gjitha nuk kemi shijuar akoma fitoren e parë në kampionat.

Diferencat me ekipet që jemi përballur kanë qenë të vogla dhe në shumicën e rasteve jemi ndëshkuar më shumë nga episodet. Kemi një ekip të mirë, por për fat të keq për shumë arsye na ka munguar rezultati. Personalisht besoj në përmirësimin e gjendjes në të cilën ndodhemi momentalisht. Duhet më shumë përqendrim dhe padyshim besim për të përballuar me sukses kampionatin. U jemi borxhlinj sportdashësve kuçovarë, të cilët na kanë mbështetur vazhdimisht”, përfundon sulmuesi Redon Lila.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›