Reeker: Të hiqen barrikadat në veri të Kosovës

Diplomati amerikan, Philip Reeker vlerëson përparimet në procesin e bisedimeve teknike mes Prishtinës dhe Beogradit, duke deklaruar se tanimë duhen hequr barrikadat në veri të Kosovës.
Zëvendësndihmësi i Sekretares amerikane të Shtetit për Çështje të Europës dhe Euroazisë, theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po punojnë ngushtë me Gjermaninë dhe Austrinë rreth çështjeve ballkanike.
Reeker vlerëson se Brukseli i ka dhënë Kosovës perspektivë të qartë europiane, me vendimet që kanë marrë zyrtarët e lartë evropianë gjatë muajit dhjetor në Bruksel.
Phillip Reeker, mendon se Kosova ka mundësi për fillimin e dialogut për liberalizimin e vizave, por edhe mundësitë për progres në çështjet tregtare si dhe anëtarësimin në Bankën Europiane për Zhvillim dhe Rindërtim.
“Periudha që kaloi ka qenë mjaft intensive dhe ne po angazhohemi në mënyrë të pandërprerë mbi këto tema dhe duhet ta bëjmë këtë edhe më tutje, sepse Ballkani Perëndimor ka rëndësi të madhe për Europën”, ka theksuar Reeker.