Reeker: Zgjedhjet, arritje për demokracinë. Qeveria e re, fokus BE-në
Tiranë- Zëvendës ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker gjatë një video konference nga Nju Jorku e ka cilësuar arritje të rëndësishme suksesin e zgjedhjeve të 23 qershorit në vendin tonë.
‘VOA’ raporton se zoti Reeker përshëndeti zgjedhjet e sukseshme në Shqipëri, siç u shpreh ai, si dhe reagimin e udhëheqësve politikë, shembull ky i një procesi demokratik në rajon.
Dua të theksoj se zgjedhjet e qershorit përbëjnë një arritjet të rëndësishme në evolucionin demokratik të Shqipërisë si dhe një provë të rëndësishme, ndërsa Shqipëria i afrohet statusit të kandidatit në BE. Kolegët e mi evropianë e kishin bërë të qartë se të gjithë do ti ndiqnin nga afër këto zgjedhje. Mendoj se Shqipria u bashkua me disa vende të tjera të rajonit, që gjatë vitit të fundit kanë zhvilluar zgjedhje të sukseshme në përputhje me standartet. Dua të theksoj gjithashtu se puna e vështirë për ndërtimin e demokracisë nuk përfundon me numërimin e votave dhe shpalljen e fituesve. Ne jemi të kënaqur që përpjekjet për formimin e qeverisë së re duket se po vazhdojnë normalisht. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin dhe të inkurajojnë qeverinë e re të veprojë në bazë të mandatit të fuqishëm, që ajo siguroi nga votuesit dhe të përqëndrohet në procesin e kandidatit në BE,-tha ai.
Sipas VOA-s zoti Reeker u kujtoi të pranishmëve se ky proces u bllokua në Shqipëri për shkak të retorikave të forta dhe tani që zgjedhjet kanë përfunduar, tha ai, shpresojmë që përpjekjet të përqëndrohen përsëri në këtë drejtim dhe në një rast të tillë Shqipëria do të ketë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.
“Qeveria e re, duhet të përqëndrohet në reforma të rëndësishme, të nevojshme për të arritur këtë objektiv si dhe në forcimin e shtetit juridik, në nxitjen e transparencës dhe të përgjegjësisë”,-tha ai.
Reeker përsëriti qëndrimin amerikan mbi nevojën, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e tjera të Ballkanit, që qeveritë duhet të përqëndrohen në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.