Toponimet, deri më 5 shtator lejohen kalimet në Kakavijë, ngec Kapshtica
Kapshticë/Kakavijë- Drejtori i kufirit në Gjirokastër Admir Abrija ka bërë me dije se ka arritur një marrëveshje me palën greke mbi çështjen e toponimeve për të lejuar kalimin në këtë pikë kufitare të emigrantëve shqiptarë pa probleme deri në fund të muajit gusht.
“Sot me daten 10.08.2013, Ministria e Puneve te Jashtme te Grerqise zyrtarisht, ka njoftuar Ministrine e Puneve te Jashtme te Shqiperise, nepermjet Ambasades se Republikes se Shqiperise ne Athine se, do te lejohet kalimi ne kufi i femijeve te emigranteve shqiptare qe kane lindur ne Greqi. Ky kalim eshte i vlefshem deri ne daten 05 shtator 2013, periudhe qe perkon edhe me perfundimin e sezonit turistik”,-thuhet në njoftimin e ministrisë.
Ndërkohë qeveria greke ka nxjerrë një tjetër vendim të pashoq mbi çështjen e toponimeve në pasaportat e fëmijëve të emigrantëve shqiptarë.
Mësohet se vetëm fëmijët e emigrantëve që kanë lindur në Athinë do të lejohen të kalojnë nga Shqipëria në drejtim të vendit fqinj. Në këtë vendim bëjnë përjashtim fëmijët që kanë lindur në qytete të tjera të Greqisë.
Drejtori i Kufirit të Kapshticës, Ylber Zyberi ka konfirmuar vendimin e palës greke.
Ndërkohë e kontaktuar nga Top Channel nëpërmjet e-mailit, zyra e Zëdhënësit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Mon, ka pohuar se asnjë traktat apo ligj i Kombeve të Bashkuara nuk parashikon një gjë të tillë.
Zyra e Çështjeve Ligjore në Kombet e Bashkuara deklaron se kjo është një çështje e ligjeve kombëtare të dy vendeve apo marrëveshjeve rajonale, që përfshijnë të dy shtetet. Konventat mbi marrëdhëniet konsullore nuk përmbajnë ndonjë dispozitë lidhur me çështjen e ngritur. Për këtë arsye, duke iu referuar traktateve dhe konventave të Kombeve të Bashkuara, çështja që ju keni ngritur, nuk parashikohet prej tyre,- thuhet në përgjigjen e OKB-së për TCH.
Autoritetet shqiptare kanë nisur një takim me autoritetet greke mbi vendimin e fundit mbi toponimet. Avokati i Popullit dhe institucione të tjera që mbrojnë të drejtat e njeriut i kanë bërë thirrje palëve që të gjejnë një zgjidhje sa më të shpejtë të problemit që ka kthyer me qindra emigrantë në pikat kufitare.