E Shtunë, 31 Tetor 2026

Referendumi, PD: Rama kërkon bllokim, do flasin qytetarët

Është koha që qytetarët të flasin dhe politika të heshtë. Kështu deklaroi zëdhënësja e Partisë Demokratike, Silvi Bardhi, në një deklaratë për mediat. Duke i konsideruar absurde pretendimet e kryetarit të PS-së për kushtëzim të referendumit për imunitetin me tre cështje të tjera, Bardhi u shpreh se Rama nuk u mjaftua me shkeljen e ëndërrës europiane të qytetarëve shqiptarë, tre ditë më parë në Parlament.
 

“Me këtë akt bllokues ai shkelmoi para shqiptarëve dhe mbarë botës ëndrrën e shqiptarëve dhe mbrojti me imunitet pasuritë e paligjshme, të vjedhjeve dhe kontrabandës. Ndërsa tani pas thirrjes së mazhorancës për referendum popullor për heqjen e imunitetit, Rama deklaron se ai do kushtëzojë referendumin për heqjen e imunitetit me referendum për çështje të tjera. Pavarësisht nga fobia e Edi Ramës nga zëri i qytetarëve, referendumi do thirret dhe zëri i qytetarëve do dëgjohet plotësisht”, u shpreh Bardhi.
 

Më tej ajo u shpreh se në ditët në vazhdim do jenë përcaktuese edhe për rrugën kushtetuese që PD do të ndjekë për mbajtjen e referendumit, ndërsa garantoi se do jenë qytetarët ata që do shembin me votë murin e imunitetit dhe murin e korrupsionit për të zhbllokuar statusin e mbetur peng i socialistëve.
 

“Kushtet e Ramës për referendum janë mjerane dhe qesharake, ndaj Partia Demokratike fton Partinë Socialiste të ushtrojë të drejtën e referendumit për çdo gjë që e cilëson të rëndësishme, por Rama nuk e bën se ka frikë nga vota e thjeshtë, tani radha është e qytetarëve, Shqipëria pret verdiktin e tyre”tha zëdhënësja e PD-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›