Referendumi për kutitë, kërkesa sot në KQZ

Kërkesa e re përmban rregullimet ligjore të kërkuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve
TIRANË - Kërkesa për referendum e 14 nismëtarëve për rinumërimin e fletëve të votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit e ridepozituar ditën e premte ka marrë edhe mbështetjen informale të disa prej anëtarëve të Komisonit Qendror të Zgjedhjeve. Pasi juristët e KQZ-së i kanë kërkuar rregullime të mëtejshme, kërkesa për referendum është bërë gati.
Ndryshe nga kërkesa e parë që nismëtarët paraqitën, e cila përbëhej nga tre pyetje, në kërkesën e dytë ata shtrojnë vetëm një pyetje nëse duhet që të rinumërohen fletët e votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit.
Një tjetër ndryshim i kërkesës për referendum është bërë edhe në objektin e kërkesës. Në rastin e parë si objekt kërkese thuhej: "Kërkesë për referendum për t'i dhënë fund krizës politike sipas parimeve demokratike". Ndërsa me rregullimet e bëra objekti i kërkesës është bërë: "Për t'i dhënë fund krizës politike si një çështje të një rëndësie të veçantë".
Gjithashtu, grupi i nismëtarëve, kërkesën për zhvillimin e referendumit, duke qenë se është për një çështje të një rëndësie të veçantë, përveç KQZ-së, i drejtohet edhe Presidentit të Republikës. Sipas nismëtarëve, kriza politike ka lindur nga numërimi i keq i fletëve të votimit dhe është përkeqësuar nga dështimet e njëpasnjëshme të negociatave midis forcave politike.
Ata sugjerojnë se procedura që duhet të ndiqet për fletët e votimit duhet të jetë e njëjtë si i rinumërimit të fletëve të votimit në shtetin e Floridas, SHBA, pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2000.
Grupi i qytetarëve që mbështesin referendumin ftojnë Komisionin Qendror Zgjedhor, Presidentin e Republikës dhe Gjykatën Kushtetuese që të tregojnë kurajën e duhur, sipas tyre, duke mos u ndikuar nga klanet politike në këto momente të krizës politike që po kalon vendi. Ridepozitimi i kërkesës nga ana e nismëtarëve vjen pas kthimit mbrapsht nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve më 24 gusht me nr/prot 398.
Në përgjigjen e saj, KQZ-ja evidentonte disa mangësi në kërkesën për referendum. Sipas këtij institucioni, tabelës bashkëngjitur kërkesës për referendum ku shënoheshin firmat e nismëtarëve nuk ishte e plotë. Për LQZ-në, grupi i qytetarëve duhet të depozitojë numrin e kartës së identitetit dhe të bëjë plotësimet e nevojshme të gjeneraliteteve.
Një tjetër kërkesë e KQZ-së është edhe saktësimi i objektit të kërkesës që grupi i nismëtarëve kërkon për referendum.
"Në rast se me shkresën tuaj, nr 388, datë 06.08.2010 kërkoni zhvillimin e referendumit për një çështje të rëndësisë së veçantë, ju lutem saktësoni në tre pikat e kërkesës në një të vetme, pasi pika 1 dhe 5 e nenit 126 të ligjit nr. 9087, datë 19.06.2003, parashikon se një referendum i tillë mund të zhvillohet për një çështje të një rëndësie të veçantë," thuhet në përgjigjen e KQZ-së drejtuar nismëtarëve.
Ndërsa, në rast se kërkohet zhvillimi i referendumit për shfuqizimin e një ligji ose të një pjese të tij, sipas institucionit të zgjedhjeve, kërkesa për fillimin e procedurave për referendum duhet të përcaktojë qartë titullin, numrin dhe datën e miratimit të ligjit që kërkohet të shfuqizohet, si dhe nëse kërkohet të shfuqizohet një pjesë e tij, dispozitat përkatëse.