ILDKP: Po hetojmë ministren Majlinda Bregu
Prej dy javësh Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka nisur hetimet për ministren e Integrimit
TIRANË - Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka filluar prej dy javësh hetimin e pasurisë së ministres së Integrimit, Majlinda Bregu, si dhe konfliktin e mundshëm të interesit.
Lajmi bëhet i ditur nga burime të ILDKP-së, të cilët sqarojnë se hetimi mbi pasurinë e ministres së kabinetit qeveritar ka nisur përpara denoncimeve publike të bërë nga Partia Socialiste.
Të njëjtat burime saktësojnë se ka qenë një telefonatë e ardhur nga një qytetar, që ka sjellë dhe nismën e hetimeve nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive.
Dy javë më parë, mësohet se një qytetar ka telefonuar në numrin e vënë në dispozicion nga ILDKP për denoncimin e rasteve të ndryshme mbi abuzimet me pasurinë, ku janë dhënë detaje mbi ministren Bregu që e akuzojnë atë për përfitime përmes përdorimit të funksionit të saj.
Pasi është marrë telefonata, e cila ka qenë tepër bindëse në denoncimin e saj, ku ka ofruar edhe të dhëna mbi abuzimet e bëra nga ministrja e Integrimit, është vënë në lëvizje Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive.
Pas analizës së të dhënave të ardhura, të cilat nga hetimet e para nuk kanë rezultuar korrekte, mësohet se ILDKP ka nën hetim një çështje, e cila nuk është e lidhur kurrsesi me akuzat e bëra deri më tani nga socialistët. Burime nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive bëjnë të ditur se çështja, për të cilën po hetohet, është shumë më e madhe se që deklaron PS.
Megjithëse është insistuar që kjo çështje të mësohet nga zyrtarë të këtij institucioni, mbi këtë drejtim askush nuk jep detaje për shkak të vijimeve të hetimeve.
Tanimë zyrtarë të lartë të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive janë angazhuar maksimalisht për zbardhjen e rastit të denoncuar nga një qytetar shqiptar dy javë më parë. Informacionet mbi rezultatet e hetimit dhe atë çfarë po hetohet mbi ministren e Integrimit nuk do të bëhet publike deri në përfundimin e plotë të hetimeve.
Nga ana tjetër, Partia Socialiste prej më se një jave ka publikuar dokumente, në të cilat përfshijnë familjarë të ministres Bregu në përfitimin e disa koncesioneve për hidrocentrale. Socialistët hedhin akuza të forta se këto koncesione janë përfituar prej angazhimit të deputetes demokrate, Majlinda Bregu, në kabinetin qeveritar.