Reforma Gjyqësore në Izrael. Ministri i Drejtësisë, Yariv Levin akuzon SHBA-në se mbështet protestuesit

Ministri i Drejtësisë së izraelit, Yariv Levin ka akuzuar administratën amerikane për bashkëpunim me protestuesit izraelitë kundër planit të qeverisë së tij për reforma në drejtësi.
Faqja hebraike “Ëalla” publikoi një video të ministrit Levin me rastin e një darke të dielën në mbrëmje me aktivistët ultra-ortodoksë duke thënë se “amerikanët janë në bashkëpunim me ta kundër (reformës gjyqësore)”.
Levin u dëgjua duke thënë se lëvizja protestuese ka “kontroll të plotë mbi shtypin” dhe ka ndikim në gjykatat, Prokurorinë e Përgjithshme dhe “të gjithë sistemin financiar dhe administratën amerikane që bashkëpunon me ta”.
Ai theksoi se është i gatshëm të luftojë për reformën gjyqësore dhe se uniteti në radhët e partisë Likud është i rëndësishëm për këtë dhe akuzoi opozitën se “nuk është e gatshme të bëjë kompromis” në tryezën e negociatave të organizuar nga presidenti, Isaac Herzog.
Djali i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, Yair, akuzoi më parë administratën amerikane për mbështetjen e fshehtë të protestave për rrëzimin e babait të tij.
Megjithatë, autoritetet amerikane hodhën poshtë akuzat. “Çdo ide se ne përkrahim ose mbështesim këto protesta ose iniciatorët e tyre është plotësisht dhe demonstrativisht i rremë”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Vedant Patel.
Izraeli është përfshirë në trazira politike gjatë javëve të fundit lidhur me planet e qeverisë së Netanyahut për reformat gjyqësore.
Opozita izraelite i sheh planet si rrëmbim të pushtetit në favor të autoritetit ekzekutiv. Netanyahu, i cili është në gjyq për korrupsion, u përul para presionit dhe njoftoi ndërprerje të përkohshme të planeve.
Pavarësisht vonesës, qeveria izraelite ende planifikon ta rikthejë projektligjin e diskutueshëm në Parlament në maj.
/rtsh.al/