Rritet inflacioni në Eurozonë. Banka Qendrore Europiane pritet të rrisë normën e interesit

Inflacioni i dhembshëm i Evropës është rritur edhe më tej, duke shtuar rëndesën ndaj ekonomive familjare e duke ushtruar trysni ndaj Bankës Qendrore Evropiane për të miratuar atë që mund të jetë një tjetër rritje e madhe e normës së interesit.
Çmimet e konsumit në 20 vendet e Bashkimit Evropian që përdorin valutën euro janë rritur për 7 për qind në prill, krahasuar me një vit më parë, një shifër pak më e lartë se shkalla e përvitshme prej 6.9 për qind në mars, njoftoi të martën agjencia e statistikave e BE-së, Eurostat.
Inflacioni i çmimeve të ushqimeve është zbutur paksa, duke rënë në një shkallë vjetore prej 13.6 për qind nga 15.5 për qind sa ishte në mars, ndërsa çmimet e energjisë pësuan rritje prej 2.5 për qind, raporton AP.
Inflacioni bazë, i cili nuk përfshin ushqimin dhe karburantet, është ngadalësuar paksa, por ende është i lartë, prej 5.6 për qind, duke forcuar bindjen se BQE-ja do të vazhdojë me fushatën e saj për mposhtjen e inflacionit me rritje të normës së interesit.
Analistët thonë se takimi i BQE-së, i paraparë për të enjten, në Frankfurt, mund të rezultojë me një rritje prej një çereku apo gjysmë pike të përqindjes.
/rtsh.al/