E Diel, 1 Nëntor 2026

Reforma Territoriale, Boçi: Raporti i KiE ngre shqetësime për konsultimin me komunitetet

TIRANË, 12 tetor /ATSH/ Bashkëkryetari i Reformës Administrativo-Territoriale, Luçiano Boçi, tha sot se raporti i Kongresit të Autoriteteve Vendore dhe Rajonale të Këshillit të Evropës ngre shqetësime për konsultimin me komunitetet e prekura në lidhje me hartën e re territoriale të propozuara nga Partia Socialiste, e cila u miratua në Kuvend pak ditë më parë.

Boçi thekson se reforma duhet të garantojë pjesëmarrjen reale të qytetarëve, decentralizimin dhe autonominë e pushtetit vendor.

“Raporti konstaton se konsultimi për ndryshimin e kufijve vendorë nisi në një fazë të avancuar të procesit dhe nuk duket se u ka garantuar banorëve pjesëmarrje kuptimplotë dhe në kohë. Më tej, kërkon që komunitetet e prekura të kenë mundësi reale të shprehin qëndrimin e tyre dhe që mendimi i tyre të merret parasysh përpara vendimit përfundimtar”, thekson Boçi në reagimin e tij.

Sipas Boçit, “raporti vë në dukje edhe prirjen për përqendrim të kompetencave në Tiranë, burimet e pamjaftueshme financiare të pushtetit vendor dhe kapacitetet e kufizuara të bashkive”.

“Në vend që të fuqizojë qeverisjen vendore, PS po propozon të largojë vendimmarrjen nga komunitetet dhe ta përqendrojë edhe më shumë atë në qendër. Këshilli i Evropës kërkon që reforma të mbështetet te decentralizimi dhe subsidiariteti, që burimet financiare të përputhen me përgjegjësitë dhe që konsultimi të jetë real, gjithëpërfshirës e në kohë. Këto kërkesa përplasen drejtpërdrejt me një hartë të përgatitur pa pëlqimin e komuniteteve dhe të paraqitur si zgjidhje të kryer”, theksoi Boçi.

Ai kërkoi ndalimin e procesit në formën aktuale dhe publikimin e kritereve mbi të cilat mbështetet propozimi.

“PS mund ta miratojë hartën me votat e saj, por nuk mund ta kthejë imponimin në konsensus”, shprehet Boçi.

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›