E Diel, 1 Nëntor 2026

Reforma Territoriale, këshillat në Këlcyrë e Klos unanimisht kundër shkrirjes së bashkive

TIRANË, 6 gusht /ATSH/ Drafti i propozuar nga Partia Socialiste për riorganizimin e ndarjes së re territoriale, që përfshin shkrirjen e 15 bashkive, ka hasur kundërshtime në disa bashki, teksa këshillat bashkiakë kanë nisur të shprehin qëndrimet e tyre kundër shkrirjeve të njësive vendore.

Mediet raportojnë se, këshilli bashkiak i Këlcyrës votoi kundër propozimit të mazhorancës socialiste për shkrirjen e kësaj bashkie dhe bashkimin me bashkinë e Përmetit. Në mbledhjen e jashtëzakonshme, të 15 anëtarët votuan unanimisht kundër draftit të PS-së.

Vendimi erdhi pas reagimeve dhe protestave të banorëve të zonës, të cilët kanë kundërshtuar humbjen e statusit të bashkisë dhe kanë kërkuar që Këlcyra të vijojë të funksionojë si njësi më vete.

Këshilltarët bashkiakë, si nga mazhoranca ashtu edhe nga opozita, i bënë thirrje edhe Këshillit Bashkiak të Përmetit të mos miratojë propozimin për bashkimin e dy bashkive.

Gjithashtu edhe në Klos ka nisur diskutimi për ndarjen e re territoriale, ku drafti i propozuar nga socialistët parashikon shkrirjen e bashkisë Klos dhe bashkimin e saj me bashkinë Mat.

Kryetarja e bashkisë Klos, Valbona Kola deklaroi se përpara çdo vendimmarrjeje do të zhvillohen dëgjesa publike me banorët në të gjitha njësitë e zonës.

Ajo tha se qëndrimi i saj do të jetë në përputhje me vullnetin e qytetarëve.

“Nëse qytetarët do të jenë pro, do të jem pro. Nëse qytetarët do të jenë kundër, edhe unë do të jem kundër”, u shpreh Kola.

Propozimi i PS-së për ndarjen e re territoriale parashikon shkrirjen e 15 bashkive. 33 bashki mbeten të pandryshuara, ndërsa 28 të tjera pësojnë ndryshime. Qarqet nuk preken nga reforma.

Gjithashtu, krijohet një nivel i ri i qeverisjes vendore, që njeh qytetet me status të veçantë ligjor dhe parashikon që ato të kenë një nënkryetar përgjegjës për koordinimin administrativ.

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›