E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama ndan mesazhin: Besim, empati, shërbim, angazhim

TIRANË, 6 gusht /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, publikoi sot në rrjetet sociale një mesazh drejtuar qytetarëve përmes të cilit shkruan me shkrim dore katër fjalë kyçe, “Besim, Empati, Shërbim, Angazhim”.

Mesazhi vjen pasi kreu i qeverisë prezantoi pak javë më parë dokumentin politik “Besa”, një platformë që ai e ka cilësuar si një aleancë të re për rikthimin e besimit mes qytetarëve dhe institucioneve.

Përmes kësaj platforme synohet që vendimet e qeverisë të mos përjetohen më si “prerje në besë”, por si procese ku qytetarët ndihen të dëgjuar, të informuar dhe të respektuar.

Më herët kreu i qeverisë ka theksuar se është zgjedhur qëllimisht emri “Besa” pasi, sipas tij, nuk ekziston një fjalë tjetër që shpreh më mirë nevojën për rikthimin e besimit mes shtetit dhe qytetarëve.

Sipas tij, platforma synon ta kthejë kritikën në vlerë, zemërimin në ndryshim, pyetjen në provë dhe protestën në një test pjekurie të demokracisë.

Dokumenti politik u prezantua gjatë një mbledhje të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, pas protestave të zhvilluara prej javësh para Kryeministrisë, të njohura ndryshe si “revolucioni i flamingove”.

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›