E Diel, 1 Nëntor 2026

Tensione jashtë Kuvendit të Kosovës, teksa miratimi i ndryshimeve për Specialen vihet në pikëpyetje

PRISHTINË, 5 tetor/ATSH/ Policia e Kosovës përdori gaz lotsjellës para Kuvendit, pasi disa protestues që kërkonin miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Specialen hodhën mjete piroteknike drejt ndërtesës.

Kuvendi i miratoi ndryshimet në lexim të parë, por votimi përfundimtar mbetet në pikëpyetje. Deputetë të LVV-së u panë duke u larguar rreth orës 19:00, ndërsa PDK-ja u bëri thirrje të kthehen.

LVV-ja kërkon që presidenti të zgjidhet para votimit në lexim të dytë, ndërsa PDK-ja këmbëngul që së pari të miratohen ndryshimet. Afati për zgjedhjen e presidentit përfundon më 6 tetor.

Policia e Kosovës i ka larguar protestuesit nga sheshi më i afërt me Kuvendin e Kosovës, “Skënderbeu”, duke i përzënë deri tek sheshi i fundit në bërthamën e katër shesheve qendrore të Prishtinës, “Zahir Pajaziti”.

Gjatë përpjekjeve të policisë për t’i shpërndarë protesuesit sa më larg ndërtesës së Kuvendit, protestuesit hodhën shishe qelqi dhe mjete piroteknike në drejtim të tyre.

Sheshet nga ai “Skënderbeu” deri tek “Zahir Pajaziti” janë zbrazur, teksa policia vazhdon të përdorë gaz lotsjellës dhe sprej ndaj protestuesve që tentojnë të kthehen në sheshe nga rrugët anësore.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) tha se e “dënon ashpër” përdorimin e dhunës ndaj qytetarëve që po protestojnë për miratimin e ndryshimeve në ligjin për Gjykatën Speciale, i cili “mbron UÇK-në”.

Në një komunikatë për media, partia opozitare që i inicioi këto ndryshime që kaluan në parim, tha se kërkon nga Qeveria “përgjegjësi të menjëhershme dhe nga organet shtetërore ndaljen e çdo veprimi joproporcional që po cenon rëndë të drejtën e qytetarëve për protestë”.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›