Reforma dhe presidenti, Wollfarth takon Ramën

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë Eugen Wollfarth është takuar sot me kreun e Partisë Socialiste Edi Rama. Takimi ka nisur në orën 09:00 në selinë rozë ndërsa në fokus të bisedimeve do të jenë reforma zgjedhore dhe zgjedhja e kreut të ri të shtetit.
Megjithë kërkesën e Komisionit Europian për të mbyllur reformën zgjedhore dhe atë parlamentare brenda datës 24 maj, të dyja palët nuk arritën të arrijnë asnjë kompromis.
Me 15 maj komisioni i reformës zgjedhore mbylli mandatin e përcaktuar nga parlamenti, pas shtyrjes tre herë të punës së tij duke mos arritur të përfundojë reformën.
Për sa i përket zgjedhjes së kreut të ri të shtetit, parlamenti pritet të nisë sot procedurat për zgjedhjen e tij. Parlamenti duhet të përcaktojë datën e votimit të parë, mes pesë raundeve të parashikuara nga kushtetuta.
Procedurat për zgjedhjen e kreut të ardhshëm të Shtetit nisin në një klime debatesh. Nga njëra anë është fakti se opozita kërkon një proces që të çojë në zgjedhjen me konsensus ndërkohë që shumica këmbëngul në një kandidat të sajin.