E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma financiare si konspiracion

Qeveria e këtij vendi, MASH-i si pjesë e saj, pas afër shtatë vitesh ekzistence si e tillë, më në fund zgjohet nga letargjia dhe iu thotë universitarëve se tashmë është koha më e mirë për të reformuar sistemin e arsimit të lartë. Vjen me një “material” (shihni se çfarë emërtimi: dokumentin që dorëzon nëpër universitete ministri i MASH-it e quan material, gjë që të kujton se si komitetet e partisë së dikurshme quanin dokumentet e tyre), të cilin ia u dorëzon universiteteve për diskutim. Ky dokument, në thelbin e tij, nuk ka asgjë ndryshe nga dokumenti Green Paper, i paraqitur komunitetit universitar një vit më parë, po nga kjo ministri, po nga ky ministër. Është një riparaqitje e tij, me sa duket vetëm për të treguar se në përgatitjen e dokumentit kanë marrë pjesë të huajt, prandaj, pikërisht për këtë, ai duhet të jetë i besueshëm, i padiskutueshëm. Gjithsesi, esenciale është që universitarëve, befasisht, sikur nuk ka ndodhur asgjë më parë, sikur të ishte një gjë e padëgjuar, iu paraqitet një reformë dhe iu thuhet se ky është çelësi për të ndryshuar sistemin. Thelbi i saj është financimi ndryshe. Ç’ishte kjo letargji, ç’ka ndodhur gjatë saj, dhe në fund të fundit, ç’e shtyu këtë ministër, pra nga ç’dimër doli ai dhe qeveria e tij që të zgjohej një ditë dhe të jepte bashlajmin e reformës?
* * *
Historia e një reforme moderne në arsimin e lartë fillon në vitin 1996, sado që të mos i pëlqejë ndonjërit, veçanërisht ish-drejtorit në ministrinë e Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor, ministri që asokohe drejtohej nga autori i këtij shkrimi. Ekipi shqiptar bashkëpunoi intensivisht me ekipin e ekspertëve të Këshillit të Evropës dhe hartoi një dokument shumë më të plotë se paçavuret që paraqiten sot, në të cilin parashikoheshin jo vetëm të gjitha ndryshimet që duheshin bërë në realitetin e universiteteve shqiptare, por edhe forma dhe koha e kryerjes së tyre. Asgjë e re nuk thuhet sot në krahasim me këtë dokument, madje asgjë e re edhe në pikëpamjen e reformës financiare, së cilës do të duhet t’i nënshtroheshin të gjitha universitetet. Akoma më shumë. Me këtë dokument u njohën të gjitha universitetet e vendit dhe ai u diskutua me të gjitha këshillat shkencorë të tyre, ballë për ballë, jo nëpërmjet një “materiali”. Vetëm një gjë nuk është në dokumentin e vitit 1996, ajo që serviret me dhelpëri në çdo “material” të ministrisë së sotme: financimi i universiteteve private. Ky është element i ri, dhe me sa duket, gjë që do të mund ta vërtetojmë në këtë shkrim, është edhe shkaku i parë dhe i fundit pse më së fundi, po tentohet të bëhet reformë universitare në Shqipëri.
Çështja e reformimit thelbësor të universiteteve rihapet në vitin 2005 nga Asambleja e Profesoratit Shqiptar. Profesorët e universiteteve kryesorë të Shqipërisë i kërkojnë qeverisë të reformojë sistemin universitar, organizojnë konferenca në të cilat ndërtojnë fondacionin mbi të cilin do të mund të ngrihej reforma universitare. Formulohet një Master Plan ku paraqiten të gjitha parimet dhe hapat konkretë për t’u ndërmarrë në një reformë, por që nuk miratohet nga qeveria, megjithëse ishte porositur prej saj. Profesorët përgatisin një projekt ligj në të cilin “ngjizen” juridikisht të gjitha kërkesat për një reformë thelbësore, si vazhdim i reformës së vitit 1996. Po citoj një pjesë të këtij projekt-ligji, siç e kam komentuar, në emër të Profesoratit shqiptar, në vitin 2006, para Komisionit Parlamentar për Arsimin të asaj kohe dhe që ka lidhje vetëm me financimin e universiteteve: “...madhësia e buxhetit nuk përcaktohet nga ministria mbi bazë të kërkesës së bërë nga universiteti, por kjo ministri është e detyruar të përdorë një model paraprakisht të miratuar në përcaktimin e buxhetit për një universitet të dhënë dhe variablat e këtij modeli lidhen jo me ministrinë, por me performancën e universitetit, pra me numrin e studentëve të pranuar”. Me këtë pohim, të formuluar që në vitin 1996, të artikuluar para këshillave shkencorë të universiteteve të asaj kohe, të artikuluar më së fundi para Komisionit Parlamentar të Arsimit në vitin 2006, pra, me këtë pjesëz të përpjekjeve vizionare që nisin që në vitin 1996, të përpjekjeve të pareshtura të Profesoratit shqiptar, po serviret gjasme si origjinale reforma e sotme financiare! Veç kësaj, ka prova të panumërta, që Profesorati i ofroi qeverisë programin për një reformë tërësore, në të cilën, duke qenë si pjesë e të tërës, reforma financiare konceptohej si një reformë që nuk mund të kryhet pa u kryer reforma administrative, pa u kryer reforma strukturore, pa u kryer reforma akademike e sistemit të arsimit të lartë në përgjithësi dhe e çdo universiteti në veçanti. Reforma financiare konceptohej, prandaj, si pjesë e një universi, i cili ekziston vetëm se është i tillë, i pandashëm.
* * *
Qartësisht jemi përpara situatës në të cilën Qeveria, nëpërmjet MASH, kërkon t’u imponojë universiteteve një reformë gjasme origjinale, në qendër të së cilës do të vendosë një financim të ri për universitetet. A është kjo, thjesht, një ego, një formë plagjiature, me anë të së cilës ministri ekzistues kërkon të marrë kreditin e reformatorit? Nuk besoj që këtu e ka hallin. Gjithsesi, le të shohim më hollësisht se çfarë përmban dokumenti-material i paraqitur te universitetet nga ky ministër.
1. Universitetet nuk do të financohen më me një buxhet historik, por me një buxhet vjetor, madhësia e të cilit do të përcaktohet me anë të një modeli, variabël kryesor i të cilit është numri i studentëve. 2. Modeli i financimit do të përfshijë edhe universitetet private, pra jo vetëm ato publike. 3. Që universitetet private të marrin para publike nëpërmjet studentëve që pranohen prej tyre, ato duhet të plotësojnë dy kushte: të akreditohen dhe të shndërrohen në organizata jo fitimprurëse.
Pjesa tjetër e dokumentit-material është blla-blla-blla. Përmenden reforma strukturore, administrative, pra reforma institucionale që universitetet duhet të kryejnë për ta bërë formën e re të financimit efektive dhe bëhet sikur harrohet që ato kanë qenë të gatshme dhe do të duhej të ishin kryer kohë më parë. Qartësisht, ky nuk është fokusi i reformës. Fokusi i reformës të servirur pas një letargjie të gjatë është thjesht dhe vetëm financimi i atij universiteti privat që doli para dy tri vitesh në TV dhe tha që paratë publike duhet të ndjekin studentin, pavarësisht se ku shkon studenti, në një universitet privat apo publik. Kjo dalje në TV nga njerëz që i përdorin ekranet lehtësisht, u la në heshtje nga Qeveria dhe MASH për aq kohë sa paraqitja e gjasme reformës së sotme, jo vetëm të dukej sikur nuk kishte lidhje me ta, apo me universitetin privat që ata përfaqësojnë, por madje, nuk mund të konsiderohej as si koincidencë. Në fakt e çuditshmja kishte ndodhur: Qeveria kishte shpërfillur përpjekjet titanike të profesorëve të universiteteve publike, për të përfillur dy tri silueta të panjohurish të shfaqur në ekrane televizive.
* * *
Le të vijmë te kushtet, plotësimi i të cilave, i jep mundësi universiteteve private të përfitojnë nga paratë publike. Së pari është akreditimi. E kam shkruar shpesh që sistemi i akreditimit në Shqipëri ka statusin e një sistemi thellësisht të varur nga politika, para së gjithash, për shkak të nominimit të anëtarëve dhe drejtuesve të tij nga Qeveria; në vend që të ishte një strukturë ndërmjetëse që nuk do t’i takonte as Qeverisë dhe as universiteteve. Prandaj, nëpërmjet sistemit “kukull” të akreditimit, Qeveria akrediton çdo universitet që plotëson interesat e saj, ashtu sikundër lë pa akredituar çdo universitet që guxon të mos i shërbejë asaj. Kjo gjë e bën të pabesueshëm plotësimin e kriterit të parë të pranimit të universiteteve private në modelin e ri të financimit. Akoma më shumë: ministri, si pjesë e Qeverisë, po për këtë arsye, është në konflikt interesi me modelin e ri të financimit! Kushti i dytë, plotësimi i të cilit i jep mundësinë universiteteve private të përfitojnë nga paratë publike, është shndërrimi i tyre në institucione jofitimprurëse. Ky shndërrim, sipas dokumentit–material të ministrisë, do të bëhet nën mbikëqyrjen e një kompanie të huaj! Në fakt, kompania e huaj nuk ka pse ta bëjë këtë, sepse është e bërë pothuajse. Dhe ja se si. Zëdhënësja e MASH-it, pra disa ditësh, në një koment në TV mbi modelin e financimit, tha se shndërrimi i universiteteve private në institucione jo fitimprurëse presupozon që paratë publike që hyjnë në universitet së bashku me studentët nuk do të shkojnë në xhepin e pronarit apo të pronarëve për të maksimizuar fitimin e tyre, por do të shndërrohen në kapital, pra, fitimi i krijuar, do të ri-investohet si kapital për të zgjeruar dhe forcuar universitetin. Pra, fitimi i krijuar do të investohet për blerje toke, ndërtesa, laboratorë, pajisje të ndryshme të cilat, në fund të fundit, nuk do të jenë gjë tjetër veçse një rritje apo zmadhim i pronës së pronarit ekzistues të universitetit. Pra, pronari fatlum, ose i përkëdheluri i Qeverisë, nuk do të marrë para kesh prej saj, por kapital, i cili, meqenëse përkufizohet si “para që pjell para”, paradoksialisht e bën institucionin e tij jo fitimprurës! Nesër, pronari, në respekt të të gjitha ligjeve të botës, mund të thotë që nuk dua të jem më jo fitimprurës, por do të marr statusin e fitimprurësit, ose do të ndryshoj destinacionin e aktivitetit tim. Dhe që prej atij momenti ai gdhihet pronar me një kapital dhe një pronë shumë më të fuqishme se ç’e kishte pasur kur u shndërrua në jo fitimprurës. Të tillë, të pasur, me një kapital të rritur, këtë pronar do ta bëjnë të gjithë shqiptarët, pa përjashtim, madje edhe ai gjynafqari që nuk ka para për ta dërguar djalin e tij në shkollë. Gjithsesi, për të mbyllur këtë pjesë të analizës, do të na duhet të krahasojmë, pra, do të na duhet të dimë se ç’ndodh me një universitet privat, jofitimprurës, në perëndim. Për këtë, tipikë janë universitetet në SHBA. Të qenit privat jo fitimprurës nuk i privon këto universitete nga përjashtimi prej disa taksave, as nga paratë publike që mund të hyjnë në universitet me pranimin e studentëve. Por këto universitete kanë dy karakteristika esenciale që Qeveria shqiptare kërkon t’i fshehë me kujdes kur bëhet fjalë për universitetet private që mund të përfitojnë para publike në Shqipëri: e para, universitetet private në perëndim, në një proces të gjatë zhvillimi të karakterizuar nga integriteti, kanë fituar besimin e publikut, gjë që universitetet private shqiptare nuk e kanë; dhe së dyti, universitetet private jo fitimprurëse nuk e zhvillojnë aktivitetin e tyre mbi një pronë private që mund të zgjerohet nga paratë e publikut, por mbi një pronë universitare, e cila nuk mund të tjetërsohet, në asnjë mënyrë, nga asnjë pronar në statusin e individit apo grupi individësh.
* * *
Në faqen 26 të dokumentit-material të ministrisë thuhet që ky dokument, sapo të miratohet nga Këshilli i Ministrave, do të shndërrohet në politikë qeveritare. Por, dokumenti-material kërkon miratimin në Parlament, sepse zbatimi i tij kërkon ndryshime në Ligjin ekzistues të Arsimit të Lartë. Në këtë pjesë, veçanërisht, por jo vetëm, dokumenti demaskon qëllimin e vërtetë të Qeverisë. Të anashkalosh Parlamentin do të thotë të tentosh të fshehësh diçka nga sytë e shqiptarëve. Ashtu sikundër ringjallja e interesit qeveritar për reformimin e universiteteve pas një letargjie shumëvjeçare, nuk është gjë tjetër veçse pjesë e një plani për të fshehur formën thellësisht të dyshimtë të financimit të universiteteve private me paratë publike. Është ky interes i veçantë qeveritar që e zhvesh reformën nga interesi i përgjithshëm publik.
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›