E Diel, 1 Nëntor 2026

Minatorët, Berisha ngushëllon familjen e Naim Shytit, viziton në spital të plagosurit

TIRANË- Kryeministri Sali Berisha i dërgoi sot një mesazh ngushëllimi familjes së minatorit Naim Shyti, i cili humbi dje jetën, në minierën e Bulqizës.
Në mesazhin e tij drejtuar familjarëve të të ndjerit Naim Shyti, Kryeministri shprehet se, “vdekja tragjike e njeriut tuaj të dashur, birit, babait, prindit, ishte një lajm shumë hidhërues për mua dhe familjen time, por edhe për qeverinë e vendit.

“Me këtë rast, duke ndarë me ju dhimbjen e kësaj humbje, i shpreh familjarëve dhe të afërmve të të ndjerit Naim Shyti ngushëllimet e mia më të sinqerta dhe lutem që shpirti i tij të gjej paqen e merituar’, theksoi Kryeministri Berisha.

Po sot Kryeministri Sali Berisha vizitoi minatorët e plagosur dje në minierën e Bulqizës, që ndodhen në trajtim intensiv në repartin e reanimacionit të Spitalit Amerikan, në Tiranë.

Kryeministri Berisha, pasi u njoh nga shefi i reanimacionit me gjendjen dhe trajtimin e tyre, vizitoi minatorët dhe i uroi shërim të shpejtë.
Kryeministri siguroi se qeveria është e vendosur të japë ndihmën e mbështetjen e saj, për shërimin e shpejtë e tyre.
“Ky ishte një aksident i dhimbshëm dhe tragjik dhe qeveria është e vendosur, së bashku me mjekët, të bëjë çdo gjë për t’ju ndihmuar”, tha ai.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›