Reforma në Drejtësi, Komisioni parlamentar shqyrton ndryshimet e reja ligjore për statusin e magjistratëve dhe të KLGJ-së

Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale ka nisur shqyrtimin e dy nismave ligjore që prekin paketën e Reformës në Drejtësi. Nën drejtimin e kryetarit Fatmir Xhafaj, komisioni u mblodh për të diskutuar dy projektligje të propozuara nga deputeti Olsi Komici, të cilat synojnë të harmonizojnë legjislacionin shqiptar me rekomandimet e Bashkimit Evropian.
Nismat ligjore fokusohen në ndryshime mbi statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe në funksionimin e organeve qeverisëse të sistemit të drejtësisë.
Garancia për pavarësinë e magjistratëve
Deputeti Olsi Komici, në cilësinë e nismëtarit, prezantoi projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve””. Ai theksoi se kjo ndërhyrje është e domosdoshme për të forcuar themelet e reformës dhe për të garantuar pavarësinë, paanësinë dhe llogaridhënien e magjistratëve.
Sipas Komicit, “projektligji është hartuar në përputhje me udhërrëfyesin për shtetin e së drejtës dhe rekomandimet e Komisionit Evropian për periudhën 2021–2025, duke synuar përmbushjen e kritereve të Kapitullit 23, “Gjyqësori dhe të drejtat themelore”“.
Ndryshimet kryesore përfshijnë sSaktësimin e përkufizimeve ligjore; përcaktimin e afateve të verifikimit për magjistratët e diplomuar para emërimit, për të rritur efiçencën; rritjen e transparencës në lëvizjet paralele dhe ngritjet në detyrë; saktësimin e rolit të Prokurorit të Përgjithshëm në përzgjedhjen e drejtuesve të prokurorive.
Forcimi i KLGJ dhe KLP
Projektligji i dytë i marrë në shqyrtim prek ligjin “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”. Qëllimi i kësaj nisme është përmirësimi i strukturës dhe kompetencave të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP).
Nisma synon të rrisë integritetin dhe transparencën përmes qartësimit të procedurave për përzgjedhjen, vetëdeklarimin dhe kontrollin e pasurisë së kandidatëve.
“Gjithashtu, parashikohet përmirësimi i efikasitetit në procesin e zgjedhjes së anëtarëve jo-magjistratë të këtyre organeve.“, thuhet në njoftim.
Relatorët e çështjeve, deputetët Aulona Bylykbashi dhe Bledi Çomo, vlerësuan nismat si hapa pozitivë për zgjidhjen e problematikave të hasura gjatë zbatimit të Reformës në Drejtësi. Ata theksuan se këto ndryshime i shërbejnë konsolidimit të sistemit, forcimit të meritokracisë dhe përmbushjes së detyrimeve të integrimit europian.
Pas diskutimeve fillestare, Komisioni vendosi të vijojë shqyrtimin e detajuar të dy projektligjeve në mbledhjet e ardhshme.
/rtsh.al/