E Diel, 1 Nëntor 2026

Reforma në Kryesinë e PD, gjashtë largimet e para

Kryesia e Partisë Demokratike do të jetë organi tjetër i rëndësishëm i demokratëve, pas Këshillit Kombëtar që pritet t‘u nënshtrohet edhe ndryshimeve për sa i përket përbërjes së tij. Kështu, burimet bëjnë të ditur se do të jetë Kryeministri Sali Berisha, njëkohësisht kryetari i PD-së, personi i cili do të vendosë edhe kandidaturat e kryesisë së demokratëve, të cilat do të zgjidhen nga anëtarët e Këshillit Kombëtar. Po kështu, këshilli do të zgjedhë edhe nënkryetarët e partive dhe sekretariatin e partisë. Gara që pritet skualifikon në mënyrë të drejtpërdrejtë gjashtë nga anëtarët aktualë të kryesisë, po kështu gara ka edhe emrat e saj favoritë.

Kryesia dhe sekretariati

Por, sipas statutit të ri të miratuar nga Kuvendi Kombëtar, anëtarët e Kryesisë së PD-së duhet të jenë pjesë e 100 emrave të sapozgjedhur të këshillit. "Këshilli Kombëtar zgjedh ndërmjet anëtarëve të tij të dalë nga Kuvendi, me votim të fshehtë 25 anëtarët e Kryesisë së Partisë nga një listë, ku numri i kandidatëve të mos jetë më pak se 30%", theksohet në nenin 37 të statutit të sapomiratuar të PD-së. Nisur nga ky nen, në mënyrë të drejtpërdrejtë nga procesi i votimit për anëtarë kryesie, eliminohen gjashtë anëtarë nga kryesia. Anëtarët aktualë të forumit të lartë të demokratëve që nuk futen fare në procesin e votimit, janë Mimoza Hasekiu, Liri Dibra, Margarita Qirko, Maksim Cikuli, Aleksandër Biberaj dhe Omer Stringa. Këta përfaqësues të PD-së nuk u votuan nga delegatët si anëtarë të Këshillit Kombëtar dhe për pasojë automatikisht nuk do të jenë pjesë e kryesisë së re. Po kështu, në mbledhjen e tij të parë, Këshilli Kombëtar pritet të zgjedhë edhe nënkryetarët e Partisë Demokratike dhe sekretariatin e PD-së në qendër, duke përfshirë edhe sekretarin e përgjithshëm. Por burimet bëjnë të ditur se surprizat nuk do të jenë shumë të mëdha në zgjedhjen e këtyre organeve qendrore të partisë. Kjo, nisur edhe nga fakti se në statutin aktual të PD-së nuk u përfshinë propozimet e anëtarit aktual të PD-së, Aleksandër Biberaj, sipas të cilit postet partiake brenda PD-së të ndaheshin nga postet e funksionarëve të PD-së në ekzekutiv. Kundërshtarët e kësaj teze, përpara zhvillimit të Kuvendit, theksuan se ishte e udhës që këto poste të mos ndaheshin, nisur edhe nga fakti se drejtuesit më të spikatur të partisë ishin edhe personat që mbanin peshën kryesore për sa i përket drejtimit të qeverisë.

Femrat dhe favoritët

Ashtu si edhe në përbërjen e Këshillit Kombëtar, Partia Demokratike ka sanksionuar në statutin e saj të ri përfshirjen e 30% të femrave në përbërjen edhe të kryesisë. "Numri i zonjave fituese të mos jetë më pak se 30%. Në rast se ky kriter nuk plotësohet në renditjen e dalë pas votimit, atëherë renditja e tyre veçohet nga e përgjithshmja", theksohet në nenin 37 të statutit të PD-së. Nisur nga ky nen, pritet që femrat të përbëjnë rreth 1/3-n e anëtarëve të kryesisë demokrate. Por, gara për anëtarët e rinj të kryesisë ka edhe favoritët e saj, nisur nga renditja e votave që secili prej anëtarëve të Këshillit Kombëtar ka marrë nga delegatët e Kuvendit. Kështu, 25 emrat e parë më të votuar të këshillit janë edhe favoritët kryesorë për kryesinë e PD-së. Kështu, vihen re emra të rinj, ku mes më të votuarve është ai i deputetes demokrate Mesila Doda, Rajmonda Bulgu, prefekti i Tiranës, Keltis Kruja, dhe zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli. Gjithsesi, gara për kryesinë e re të demokratëve pritet të ofrojë edhe surprizat e saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›