Arrestohen tre zyrtarë për uniformat e policisë dhe Gardës
Dy zyrtarë të lartë të Ministrisë së Brendshme, një zyrtar i Ministrisë së Integrimit dhe tre biznesmenë kanë përfunduar në prangat e policisë gjatë një operacioni të realizuar në orët e mbrëmjes nga departamenti i hetimit të krimit. Të gjashtë personat akuzohen për korrupsion, pasi dyshohen se nëpërmjet ryshfeteve kanë favorizuar tri firma që të fitojnë tenderët e uniformave për Gardën e Republikës e policinë, si dhe dyshohen për tenderë të tjerë në polici. Bëhet fjalë për tenderin e uniformave të Gardës dhe policisë, me vlerë rreth 1.3 milionë euro. Sipas dokumentimit të kryer nga grupi hetimor, tre zyrtarët kanë përfituar nga ky korrupsion rreth 125 mijë euro.
Të arrestuarit
Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit për departamentin e hetimit të krimit, Agron Kuliçaj, ka deklaruar se operacioni që çoi në prangosjen e gjashtë personave ishte koduar "Prokurimi i fundit" dhe është bërë në bashkëpunim të ngushtë me një sërë strukturash hetimore. Kuliçaj u shpreh se u ekzekutua masa e arrestit për zyrtarët Bujar Zenel Murati, 39 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Tiranë, me detyrë drejtor i përgjithshëm i zhvillimit të procedurave të përqendruara të prokurimit pranë Ministrisë së Brendshme, Redi Agron Popescu, 31 vjeç, lindur në Elbasan dhe banues në Tiranë, me detyrë specialist në Ministrinë e Integrimit dhe Tahir Hajrulla Imami, 49 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, shef i programimit të prokurimeve në Gardën e Republikës. Veç tre zyrtarëve u arrestuan edhe biznesmenët Artan Nargim Berberi, 43 vjeç, lindur në Korçë dhe banues në Tiranë, pronar i kompanisë MALBERTEX sh.p.k., Jani Dhimitraq Gjergjefi, 49 vjeç, lindur në Korçë dhe banues në Tiranë, pronar i kompanisë GJERGJEFI sh.p.k., si dhe u la me "arrest shtëpie" Agur Qamil Sadikun, 47 vjeç, lindur dhe banues në Berat, pronar i kompanisë SADIKU sh.p.k. Arrestimi i tyre është bërë pas një hetimi 4-mujor nga departamenti për hetimin e krimeve dhe njësia e përbashkët hetimore kundër korrupsionit dhe krimit financiar pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Hetimet 4-mujore
Hetimi vërtetoi veprime korruptive të tre zyrtarëve të mësipërm, Bujar Murati, Redi Popescu dhe Tahir Imami, të cilët kanë favorizuar e përzgjedhur tre subjektet tregtare për t‘i klasifikuar fitues në procedurat e prokurimit të datës 09 shtator 2009 me objekt "blerje veshje për disa institucione" me vlerë limit dhe "blerje këpucë", me fond limit 175 034 194 lekë, që do zhvillohej nga Drejtoria e Përgjithshme e Prokurimeve të Përqendruara pranë Ministrisë së Brendshme. Me qëllim përfitimi personal në shuma të konsiderueshme parash, ata kanë kërkuar ryshfet nga 5% deri në 10% të vlerës së limitit të prokurimit. Artan Berberi, Agur Sadiku dhe Jani Gjergjefi dyshohet se kundrejt përfitimeve të kundërligjshme që u kanë dhënë zyrtarëve Bujar Murati, me detyrë drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Prokurimeve të Përqendruara pranë Ministrisë së Brendshme dhe Redi Popescu kanë ndarë me marrëveshje të paracaktuar midis tyre fituesit e loteve të kësaj procedure prokurimi, duke eliminuar konkurrencën e shoqërive të tjera në mënyrë të padrejtë. Hetimet po vazhdojnë për identifikimin e personave të tjerë, të cilët mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari të kundërligjshme. Sipas të dhënave të prokurorisë kanë qenë rreth 14 lota për uniformat e Policisë së Shtetit, ushtrisë, Gardës së Republikës, doganave dhe tatimeve. Gjithashtu po hetohet edhe për tenderët e tjerë të fituar nga këta persona, që dyshohet se mund të jenë kryer me të njëjtën metodë korruptive.