E Enjte, 5 Nëntor 2026

Reforma në drejtësi e vështirë pa mbështetjen e SHBA, Xhaçka: Fronti anti-reformë i sheh zgjedhjet si mundësi për ta zhbërë

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka deklaroi të martën se, Reforma në drejtësi do të kishte qenë shumë herë më e vështirë pa mbështetjen e SHBA. “Mjafton të shohësh rezistencën që i ka bërë asaj fronti anti-reformë, mjafton të shohësh sesi lufton ky front edhe sot duke i parë zgjedhjet e 25 prillit si mundësinë e fundit për ta zhbërë reformën në drejtësi, për ta kuptuar sa jetike ka qenë kjo ndihmë”, tha Xhaçka duke folur në aktivitetin “30 vjet së bashku”, me rastin e 30 vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike Shqipëri – SHBA”, të mbajtur në MEPJ.

Xhaçka theksoi se, “marrëdhënia me Shtetet e Bashkuara është një nga shtyllat jo vetëm të diplomacisë, por edhe të politikave të sigurisë e reformave të vendit tonë”. “Kjo është një datë shumë e rëndësishme për vendet tona, por kjo është një datë shumë e rëndësishme edhe në një nivel njerëzor, jo vetëm për mua, por për dhjetëra mijëra shqiptarë”, tha Xhaçka .

“Jam e bindur që marrëdhënia mes vendeve tona është kjo që është, kaq e fortë dhe e konsoliduar sa është, sepse ajo ngrihet mbi themelet e lidhjeve njerëzore që ekzistojnë mes nesh. Nuk është një marrëdhënie e ndërtuar mbi interesa strategjike të një momenti apo konvenienca gjeopolitike të një momenti tjetër. Është një marrëdhënie mes dy popujsh që i bashkojnë vlerat, parimet e fijet e panumërta të lidhjeve familjare e njerëzore”, tha Xhaçka.

“Historia e 30 vjetëve të fundit ka treguar më së miri, me fakte e prova, sesa jetike ka qenë miqësia me Shtetet e Bashkuara për Shqipërinë dhe shqiptarët. Çdo shqiptar mund t’i bëjë vetes disa pyetje të thjeshta për ta kuptuar këtë: Si do të kishte qenë historia e tranzicionit shqiptar pa mbështetjen e SHBA? Si do të kishin qenë sot shqiptarët në rajon pa mbështetjen e SHBA? Si do të kishte qenë sot rajoni ynë, i konsumuar nga konflikte e diktatura e dhuna për aq gjatë, pa ndërhyrjen e SHBA?”, u shpreh ministrja Xhaçka.

“E vërteta është që në çdo moment të 30 vjetëve të fundit, SHBA kanë qenë aty për ne, na kanë mbështetur, na kanë ndihmuar dhe kanë luajtur një rol të dorës së parë në transformimin e Shqipërisë, e cila sot, edhe pse me shumë probleme e sfida, ka shumë pak gjëra të përbashkëta me atë vendin që vizitoi James Baker në vitin 1991”, tha ajo.

“Në fakt jo vetëm mbrojtja, por mbarë transformimi demokratik i Shqipërisë dhe rrugëtimi i saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian i detyrohet shumë mbështetjes amerikane. Reforma në drejtësi do të kishte qenë shumë herë më e vështirë pa këtë mbështetje. Mjafton të shohësh rezistencën që i ka bërë asaj fronti anti-reformë, mjafton të shohësh sesi lufton ky front edhe sot duke i parë zgjedhjet e 25 prillit si mundësinë e fundit për ta zhbërë reformën në drejtësi, për ta kuptuar sa jetike ka qenë kjo ndihmë”, tha Xhaçka.

“E vërteta është që në çdo moment të 30 vjetëve të fundit, SHBA kanë qenë aty për ne, na kanë mbështetur, na kanë ndihmuar dhe kanë luajtur një rol të dorës së parë në transformimin e Shqipërisë, e cila sot, edhe pse me shumë probleme e sfida, ka shumë pak gjëra të përbashkëta me atë vendin që vizitoi James Baker në vitin 1991”, nënvizoi Xhaçka.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›