E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkrumboi pyllin me pisha, ndalohet zjarrvënësi

Në zonën e Përmetit si pasojë e zjarrvënies janë djegur 46 hektarë pyje dhe 16 hektarë me kullotë

Përmet Efektivat e policisë në Qarkun e Gjirokastrës pas një pune hetimore intensive kanë arritur të identifikojnë dhe ndalojnë personin e dyshuar, si autor i zjarrit masiv që përfshiu në fundjavë masivin pyjor pranë fshatit Kutal, Përmet. Ditën e martë Drejtoria e Policisë së Qarkut deklaroi se specialistët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Pronës kanë ndaluar 39-vjeçarin Sokol Hadaj, lindur dhe banues në Këlcyrë, Përmet, për veprën penale “shkatërrim i pronës me zjarr”. Ai dyshohet se është autor i zjarrit masiv të fundjavës në zonën e Kutalit, Përmet, kur flakët shkrumbuan një sipërfaqe prej 46 hektarë pisha dhe 16 hektarë kullotë malore. Sipas grupit hetimor, fillimisht ai i ka vënë zjarrin disa arave për të djegur barishtet afër stacionit të fshatit Bual, të rrethit Përmet. Si pasojë e erës së fortë zjarri ka dalë nga kontrolli dhe ka përfshirë kurorën e pishave, midis fshatrave Kutal, Bual dhe Kaludh. Madje, flakët, të ndihmuara nga era e fortë dhe terreni i thatë, janë përhapur edhe në zonën e Piskovës. Krahas djegies së dhjetëra hektarëve pyll dhe kullotë, ky zjarr ka rrezikuar edhe banesat e fshatit Kutal. Për të shmangur dëmet materiale në shuarjen e këtij zjarri masiv, kanë ndërhyrë dy automjete zjarrfikëse, 20 efektiva të policisë, ushtria si edhe banorë të kësaj zone. “Falë ndërhyrjes në kohë u bë i mundur shpëtimi i banesave nga zjarri”, thonë burime në repartin zjarrfikës në Gjirokastër. Përfshihen nga flakët edhe kodrat e qytetit të Lushnjës. Zjarri është aktivizuar mëngjesin e djeshëm dhe ka përfshirë kodrat me ullishte që ndodhen sipër qytetit. Për shkak të terrenit të vështirë është e pamundur ndërhyrja e mjeteve zjarrfikëse. Ndërkaq efektivët zjarrfikës dhe banorët e zonës janë duke u përpjekur me mjete rrethanore për shuarjen e flakëve. Bledar Shehu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›