E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma parlamentare, eksperti britanik komenton propozimet e opozitës

Foto ilustruese / Arkiv

Një ekspert britanik, i cili po asiston komisionin e reformës parlamentare,  ka komentuar propozimet e opozitës për ndryshimin e rregullores së Parlamentit. Phil Larkin i Fondacionit Westminster për Demokraci në Londër e sheh të drejtën e fjalës për ministrat kur parashtrojnë projektligje dhe kryeministrit sa herë që ai të dojë (e sanksionuar kjo edhe në Kushtetutë), si diçka e çuditshme dhe anomali për Parlamentin shqiptar, që nuk do ti shërbente mirëfunksionimit të çdo Parlamenti.

Në rekomandimin e Larkin thuhet se nëse e drejta e pakufizuar e kryeministrit për të kërkuar fjalën nuk mund të ndryshohet në Kushtetutë, atëherë rregullorja duhet të amendohet për ti lejuar opozitës të drejtën për t’u përgjigjur. Në terma më afatgjatë, këto përcaktime kushtetuese dhe të rregullores duhet të modifikohen për të vendosur më shumë kushte në ushtrimin e këtij pushteti.

Ndërsa në lidhje me emërimin e zyrtarëve të lartë, Larkin shprehet se vota e hapur për emërimin e zyrtarëve publikë është një mekanizëm i rëndësishëm i llogaridhënies. Sipas tij, një votë e fshehtë është më efektive për të lënë politikën jashtë emërimeve, sidomos në kushtet e Shqipërisë, kur Parlamenti dominohet nga dy parti të mëdha, me një nivel të lartë disipline mbi anëtarët e tyre.

Në rekomanimet e Larkin thuhet se duke iu referuar faktit se në rregullore ekzistojnë shembuj kur Parlamenti voton me shumicë të cilësuar për emërimin e zyrtarëve publikë, cilëson anormale që emërimet e gjyqtarëve të lartë bëhen me votë të thjeshtë.

Emërimet për në Gjykatën e Lartë dhe Kushtetuese duhet të bëhen me votë të fshehtë dhe me shumicë të cilësuar, thuhet në rekomandimin e ekspertit britanik, i cili ka krahasuar amendamentet e paraqitura nga opozita me atë çfarë kërkohet në progres-raport dhe rregulloren e Parlamentit Europian.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›