Korrupsioni, 7 zyrtarë në pranga dhe 19 mjekë nën hetim në Vlorë
7 persona kanë rënë në pranga dhe 19 të tjerë po hetohen në gjendje të lirë për shpërdorim detyre, në sajë të një operacioni të policisë së Vlorës në bashkëpunim me task forcën anti-korrupsion. Mësohet se të arrestuarit janë zyrtarë nga institucione të ndryshme të këtij qyteti.
Në pranga kanë rënë shtetasit Kleansi Peci, përgjegjës i tatim/taksave në Vlorë, Lirian Selmanaj kryetar i Kryqit të Kuq Shqiptar, Gjergji Dhiamanti sekretar i Kryqit të Kuq, Limoz Alia administrator dhe instruktor i një autoshkolle në Vlorë, Altin Demiri instruktor i një tjetër autoshkolle në këtë qytet, Xhevair Basha, ish -kryetar i komisionit për pajisjen me dëshmi aftësie për drejtimin e automjeteve në Vlorë, aktualisht me të njëjtën detyrë në Gjirokastër dhe Luan Troka, ish- anëtar i komisionit, aktualisht me të njëjtën detyrë në Fier.
Ndërkohë, mësohet se po hetohen në gjendje të lirë 19 mjekë të komisioneve ligjore që kanë lëshuar raporte, për përfitimin e dëshmive të aftësisë për përdorimin e automjeteve.
Arrestimi i këtyre shtetasve, si dhe fillimi i procedimit penal në ngarkim të 19 mjekëve është kryer pasi nga hetimet e kryera ka rezultuar që në bashkëpunim me njëri-tjetrin në më shumë se 22 raste të dokumentuara, kundrejt shumave të caktuara monetare falsifikonin dokumentet zyrtare për persona të cilët nuk ishin të pranishëm, por emigrantë jashtë shtetit duke i pajisur ata me leje drejtimi. Procedurat për pajisje me leje drejtimi kryheshin nga vetë komisionerët, dhe punonjësit e Drejtorisë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor Vlorë.- bëri të ditur policia e Vlorës.