Reforma parlamentare të votohet në 6 gusht

Petrit Vasili
Lëvizja Socialiste për Integrim bëri thirrje sot që heqja e imunitetit dhe reforma parlamentare të votohen bashkë në datën 6 gusht, duke e kthyer këtë ditë në një ditë të rëndësishme për Shqipërinë dhe shqiptarët drejt Bashkimit Evropian.
Në një konferencë për shtyp, Petrit Vasili në emër të LSI-së kërkoi publikisht që paralelisht me punën e filluar për imunitetet, ditët në vazhdim të rimerret në shqyrtim edhe reforma parlamentare, duke bërë që në 6 gusht edhe kjo çështje të përmbushet.
Në këtë mënyrë, vazhdoi me tej Vasili, Shqipëria do të maksimizojë shanset e saj për fitimin e statusit, duke përmbyllur detyrimet të cilat janë kërkuar kohë më parë.
Ne inkurajojmë se me intensitet, vullnet dhe dëshirë për konsensus, të punohet dhe të përmbyllet edhe reforma parlamentare- tha Vasili.
Sa i përket çështjes së imuniteteve, LSI vlerëson se ky proces duhet të kishte nisur me kohë, theksoi ai, duke shprehur vullnetin e saj dhe dëshirën që kjo nismë të votohet me konsensus në datën 6 gusht.