E Diel, 1 Nëntor 2026

Reforma territoriale, Mazniku: Bashki më funksionale për të ofruar shërbime cilësore qytetarëve

TIRANË, 31 korrik /ATSH/ Bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale, Arbjan Mazniku prezantoi sot në detaje draftin e Partisë Socialiste për riorganizimin e hartës territoriale, duke theksuar se reforma është një domosdoshmëri për përgatitjen e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, Mazniku tha se që në fillim të mandatit të tretë qeverisës, Partia Socialiste e kishte shpallur reformën e re administrativo-territoriale si një nga prioritetet kryesore.

Sipas tij, komisioni u ngrit mbi bazën e dy parimeve të rëndësishme: paritetit me opozitën dhe bashkëkryesisë, si shenjë mirëbesimi për të ndërtuar një reformë afatgjatë dhe gjithëpërfshirëse.

“Kjo reformë ka nisur punën nëpërmjet një komisioni të posaçëm në të cilin ne pranuam dy elementë shumë të rëndësishëm: Së pari, paritetin me opozitën dhe së dyti, bashkëkryesinë. Të dy këto elementë nuk ishin detyrues, por ishin elementë të mirëbesimit për të munduar dhe krijuar një frymë në të cilën të shihnim opsionin e krijimit të një reforme e cila të qëndronte në kohë, të ishte për të mirën e Shqipërisë dhe t’i përgjigjej në mënyrën më të mirë të duhur sfidave që Shqipëria ka përpara”, tha ai.

Ai tha se opozita nuk kontribuoi në proces, duke theksuar se për katër muaj nuk mori pjesë në punimet e komisionit, ndërsa më pas debati u përqendrua te kalendari i punës. Sipas Maznikut, afati i komisionit ka qenë i përcaktuar që në krijimin e tij dhe përfundoi më 19 korrik.

Mazniku argumentoi se reforma është e lidhur ngushtë me procesin e integrimit evropian. Ai deklaroi se Shqipëria synon të mbyllë negociatat me Bashkimin Evropian në fund të vitit 2027 dhe të bëhet vend anëtar në vitin 2029. Në këtë kuadër, sipas tij, bashkitë duhet të jenë më të forta administrativisht dhe financiarisht për të përfituar nga fondet e BE-së.

Sipas Maznikut, nëse reforma nuk miratohet përpara zgjedhjeve vendore të vitit 2027, vendi do të humbasë një mundësi të rëndësishme zhvillimi.

“Së dyti, në muajin maj të vitit 2027 Shqipëria do të ketë zgjedhjet vendore, në të cilat ne duhet të hyjmë me një sistem të ri, me një hartë të re territoriale, në mënyrë që të përballemi me ato sfida që Shqipëria ka përpara. Unë e kam thënë vazhdimisht dhe vazhdoj ta them: në vjeshtën e vitit që vjen, të fundit të 2027-ës Shqipëria do të mbyllë negociatat me Bashkimin Evropian dhe në vitin 2029 Shqipëria do të jetë një vend anëtar i Bashkimit Evropian. Në atë moment nuk integrohet në BE qeveria, nuk integrohet një zonë e Shqipërisë, integrohet e gjithë Shqipëria në Bashkimin Evropian. Dhe një ndër programet më të rëndësishme të Bashkimit Evropian është programi i kohezionit social, program i cili nëpërmjet mbështetjes së Bashkimit Evropian i jep mundësinë që territoret që janë më pak të zhvilluara në BE të marrin mbështetje financiare për t’u zhvilluar.

Por këto nuk janë para që vijnë automatikisht vetëm se je anëtar. Janë para që vijnë në mënyrë konkurruese nëpërmjet projekteve zhvillimore që bashkitë apo rajonet ia dalin të hartojnë. Dhe pjesa e sfidës që ne kemi përpara është të kemi mundësi të forcojmë bashkitë tani, të futemi në zgjedhjet e ardhshme me bashki me struktura më të forta, më të afta ekonomikisht, më të afta funksionalisht, të cilat të harxhojnë periudhën 2027-2031 për t’u rregulluar me këtë realitet të ri, për të forcuar edhe më tej administratën e tyre, strukturën e tyre, funksionalitetin e tyre dhe në 2031 si bashki evropiane të kenë mundësi të marrin maksimumin e mundshëm jo vetëm nga mjetet financiare vendore, jo vetëm nga funksionaliteti i tyre i përditshëm, por dhe nga financimet që vijnë nga Bashkimi Evropian për territorin e tyre dhe për qytetarët e tyre.

Dhe kjo ka qenë kolona kryesore e nevojës që ne kemi për ta përqasur këtë reformë. Dhe kjo është dhe arsyeja kryesore pse kemi një agjendë të ngjeshur. Nëse ne e humbasim këtë afat, afatin e 2027-ës, nuk humbasim një muaj, nuk humbasim dy muaj, humbasim tetë vjet. Se do të thotë që reforma më pas duhet të bëhet diku në periudhën 2027-2031, nuk fillon dot para 2031, sepse nuk ndërpriten dot në mes mandatet e të zgjedhurve në 2027-ën. Koha e rregullimit do të ishte 2031-2035 dhe realisht do të futeshim në funksionalitet të plotë në 2035. Humbasim tetë vjet”, tha ai.

Mazniku theksoi se synimi i reformës nuk është ndryshimi i kufijve për interesa politike, por krijimi i bashkive më funksionale, me më shumë kapacitete njerëzore, teknike dhe financiare, të afta për të ofruar shërbime më cilësore dhe për të nxitur zhvillimin ekonomik të territoreve që administrojnë.

“Bëhet për të mirën e qytetarëve shqiptarë, për t’i pasur mundësinë që çdo bashki të ketë mundësinë të ofrojë shërbimet më të mira të mundshme dhe kapacitetet për të hartuar projekte zhvillimore dhe për t’i kthyer bashkitë nga institucione të cilat sot janë përgjegjëse për pusetat, kanalizimet dhe dritën, në institucione të cilat bëhen përgjegjëse për zhvillimin ekonomik të territorit që ata administrojnë”, tha ai.

Një tjetër shtyllë e reformës, sipas tij, është decentralizimi. Mazniku tha se transferimi i funksioneve nga qeveria qendrore te pushteti vendor nuk mund të realizohet vetëm me ndryshime ligjore, por kërkon bashki me administrata të afta, specialistë, mjete dhe burime financiare.

“Elementi i dytë lidhet ngushtësisht me konceptin e decentralizimit. Decentralizim do të thotë cilat funksione nga qeveria ne i afrojmë tek bashkia. Por decentralizimi është i lidhur ngushtësisht me kapacitetin e një bashkie nga ana e burimeve njerëzore, nga ana e financave, nga ana e aftësive teknike, mjetet, makinat, për ta ushtruar një funksion të caktuar. Dhe nëse bashkitë nuk i kanë këto kapacitete, nuk mund të flasim për decentralizim për të çuar funksione me ligj. Por ligji nuk jep dot as njerëzit që operojnë mjetet, as mjetet. Ne mund të theksojmë me ligj që këto do të bëjnë plan urbanistik, por ligji nuk krijon dot urbanistë”, tha ai.

/m.q/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›