E Diel, 1 Nëntor 2026

Mazniku: Reforma e re ruan standardet e kërkuara nga raporti i BE-së

TIRANË, 31 korrik /ATSH/ Bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale, Arbjan Mazniku, deklaroi sot se propozimi për ndarjen e re administrativo-territoriale synon konsolidimin e bashkive dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët, duke ruajtur standardet e arritura me reformën aktuale.

Gjatë prezantimit të elementëve kryesorë të draftit të reformës, Mazniku tha se një nga aspektet që, sipas tij, nuk pasqyrohet nga opozita lidhet me funksionet e pushtetit vendor.

“Bashkimi Europian, në raportin e tij, thekson se duhet të ruhet reforma në raport me cilësinë dhe kohën e ofrimit të shërbimeve, gjë që nuk humbet me reformën e re që po ndërmarrim”, u shpreh ai.

Mazniku theksoi se reforma është paraqitur si nismë deputetësh, ndërsa shtoi se procesi i konsultimeve ka ndihmuar në përmirësimin e draftit.

“Partia Socialiste ka qenë shumë e qartë se disa bashki kishin nevojë të konsolidoheshin. Procesi i dëgjesave me aktorët ka sjellë dobi dhe sot kemi një produkt shumë më të mirë se ai që kishim në fillim”, tha ai.

Sipas Maznikut, reforma nuk synon të zgjidhë të gjitha problematikat e vendit, por të krijojë një organizim më efikas të pushtetit vendor dhe të rrisë cilësinë e shërbimeve.

“Kjo reformë shërben për të krijuar zyra planifikimi më efikase për investimet dhe ndërhyrjet. Me këtë reformë nuk premtojmë të zgjidhim të gjitha problemet e Shqipërisë, por do të rrisim cilësinë e shërbimeve, mirëmbajtjen e rrugëve, infrastrukturën dhe shërbimet e tjera për qytetarët”, deklaroi ai.

Duke folur për konceptin e rajonalizimit, Mazniku sqaroi se ai lidhet me organizimin e funksioneve dhe financave në një shkallë më të gjerë territoriale.

/e.xh/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›