Perlat nën ujë
Këto foto do të kishin joshur edhe njeriun më indiferent ndaj gjërave në natyrës mbi tokë dhe nën ujë. Janë pamje, që i botojmë për herë të parë, dhe i përkasin zbulimeve arkeologjike që ka bërë gjatë muajit gusht në ujërat e Jonit ekspedita shqiptaro-amerikane.
Arkeologët dhe specialistët e trashëgimisë, pjesëmarrës në këtë ekspeditë, konfirmojnë faktin se ky sezon kërkimesh ka rezultuar nga më të suksesshmit e ndërmarrë në këtë fushë.
Deri tani konfirmohet gjetja e 5 reliteve antike dhe dy të tjera janë në proces verifikimi. “Zbulimi i mundshëm i 7 anijeve të periudhës klasike i bën këto zbulime nga më të rëndësishmet në Mesdhe”, konfirmon prof. Neritan Ceka i cili ishte edhe pjesëmarrës në këtë ekspeditë.
Materiali i gjetur në këto anije klasike i përket periudhës që nga fundi i shek. të 6 para erës sonë dhe deri në atë të periudhës bizantine. Kampione të materialit janë marrë nga specialistët për t’u identifikuar dhe rezultatet kanë qenë impresionuese duke konfirmuar lashtësinë e këtyre anijeve.
E veçantë është që relitet e 5 anijeve janë gjetur shumë pranë njëra- tjetrës duke habitur specialistët për këtë trill të fatit pasi periudhat e reliteve të anijeve të mbytura shtrihen në hapësirë kohore prej 1000 vjetësh.
Auron Tare koordinatori dhe iniciatori i projektit mendon se “krijimi i një parku të arkeologjisë nënujore do të sillte një dimension të ri në fushën e trashëgimisë kulturore. Gjithashtu krijimi i një Muzeu të arkeologjisë nënujore do të ishte kontribut i jashtëzakonshëm për turizmin kulturor. Kalaja e Porto Palermos mund të ishte baza e shkëlqyer për të krijuar këtë Muze”.
Kërkimet nënujore bëhen me mbështetjen e Fondacionit Amerikan RPM Nautical Foundation një institucion i njohur ky në fushën e arkeologjisë nënujore për Mesdheun. Ky Fondacion ka zhvilluar kërkime të ngjashme në Turqi, Marok, Spanjë dhe këtë sezon sapo zbuloi në ujërat e Siçilisë një objekt me mjaft vlera siç ishte ajo e një Rostro Romake e njohur edhe si Dashi i anijes i cili godiste anijen kundërshtare.
Ekspedita shqiptaro-amerikane, është realizuar falë një marrëveshjeje midis Qendrës për Studimet Albanologjike “Instituti i Arkeologjisë”, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Fondacionit Amerikan “RPM Nautical Foundation”.
Deri më tani është bërë e mundur skanimi i bregut të detit nga Kepi i Ftelesë në Jug të Sarandës deri në Porto Palermo. Ky skanim bëhet nga bregu i detit deri në 5 km nga bregu në thellësinë 300-400 metra.
Janë identifikuar një numër i madh anomalish të cilat kontrollohen nga roboti i anijes.
Ditët e fundit janë identifikuar dhe zbuluar 6 anije antike. Anija e parë në thellësi 70 metra rezulton si një anije e shek. të 6 para Krishtit dhe anija e dyte e shek. të 4 para Krishtit. Anijet kanë ngarkesa me amfora të identifikuara si Korintike të versionit A dhe B. Anija e parë ka vetëm amfora Korintike, kurse tjetra ka një ngarkesë të plotë me pllaka qeramike korintike. Arkeologët e ekspeditës mendojnë se kjo është anija e parë e gjetur në Mesdhe e cila ka një ngarkesë të plotë me material të tillë, prandaj lajmi i këtij zbulimi është me rëndësi për qarqet shkencore të arkeologjisë botërore.
Ekspedita shqiptaro-amerikane e kërkimeve nënujore ka operuar me një ekip shumë profesionist si dhe ka përdorur teknologjinë e fundit të kërkimeve nënujore në thellësi të mëdha.
------------------Thënie e ditë
“Trupi është po aq mësimdhënës i mirë sa dhe librat, kurse ndjenjat i shkojnë për shtat shpirtit.”
Françoise Parturier