Lala: "Me Suedinë e kemi më të lehtë se me Maltën"
Pak minuta para se të çonte bagazhet në hotel "Tirana", vendi ku janë sistemuar kuqezinjtë, kapiteni i kombëtares, Altin Lala, foli në prag të ndeshjes së parë eliminatore me Suedinë. Aktivizimi prej shumë vitesh me Hanoverin në Bundesligë, e ka bërë 33-vjeçarin një profesionist të vërtetë jo vetëm në fushë, por edhe për mendimet që jep. Lala gjykon se mentaliteti i gabuar i lojtarëve shqiptarë, bën që me kundërshtarë të fortë si Suedia ndeshja të jetë më e lehtë. Kjo ka të bëjë me angazhimin ndryshe të lojtarëve dhe vlerësimin e madh që ata u bëjnë skuadrave me emër. Për këtë dhe gjëra të tjera, ja rrëfimi i kapiteni kuqezi:
- Altin, po afron Suedia. Trajneri ka thënë se do të përgatisë një ekip sulmues...?
- Suedia është një ekip shumë i fortë. Edhe në miqësoren e fundit që zhvilloi me Francën, e tregoi këtë gjë. Duhet të dimë që është një ekip i nivelit të lartë për sa i përket anës fizike. Mundësia jonë për t'iu përgjigjur Suedisë është kundërsulmi dhe loja teknike, gjithnjë nëse jemi në 100% të formës dhe natyrisht pa bërë gabime në mbrojtje. Duke filluar nga sulmuesi, e deri te portieri, duhet të luajmë bashkë, pra të jemi të ngjeshur. Me anë të kombinacioneve mund t'i godasim.
- Gjithashtu, trajneri Ari Han është shprehur se lojtarët duhet të luajnë pa frikë?
- Unë nuk shikoj frikë, sepse e kemi treguar veten që jemi në gjendje të sulmojmë edhe ndaj ekipeve me emër. Me Holandën ishim në maksimumin tonë dhe arritëm të rrezikonim në disa raste. Megjithatë, mendoj që në parim duhet të jemi mirë në mbrojtje si skuadër. Duhet evituar pësimi i golave të shpejtë, nga të cilët përherë jemi ndëshkuar.
- Kë shikoni pikë të dobët të Suedisë dhe çfarë besoni se mund të arrihet?
- Mendoj se mbrojtja është pika më e dobët e Suedisë. Nuk ka lojtarë të shpejtë, teksa një prej tyre është mbrojtësi Melberg, i cili luan me Juventusin. Këtu është shansi ynë për të përfituar.
Unë shpresoj shumë te vlerat e ekipit tonë. Mund të ndodhë gjithçka. Natyrisht, favorite është Suedia, por personalisht kam një ndjenjë pozitive dhe besoj se mund të marrim edhe tri pikë. Bindja është duke pasur parasysh që është ndeshja e parë, teksa ne gjithnjë jemi paraqitur mirë, sidomos në fushën tonë. Ndërkohë, duke futur mbështetjen e tifozëve, jam optimist se do të arrijmë një rezultat pozitiv.
- Në kombëtare janë rikthyer Bogdani dhe Berisha...?
- Do të na bëjnë shumë punë. Unë e kam thënë edhe më parë, që ata i nevojiten kombëtares.
- Si e shpjegoni zhgënjimin e trajnerit për lojën në miqësoren ndaj Lihtenshteinit?
- Ishte një situatë ku ne mund të shënonim shumë gola, por ja që mentaliteti shqiptar ka të bëjë shumë në të tilla aspekte. Trajneri ka mendimet e veta, por duhet të dijë që ky është një mentalitet i gabuar yni. Eshtë e çuditshme, pasi ne i nënvleftësojmë skuadrat e vogla. Trajneri kishte të drejtë, sepse mundësitë ishin që të shënonim sa më shumë.
- Gjithsesi, me Suedinë do të jetë ndryshe?
- Natyrisht që angazhimi i lojtarëve do të rritet dhe do të luhet pa frikë. Eshtë e çuditshme, por unë mendoj se Shqipëria e ka më të lehtë për të luajtur me Suedinë, se sa me Maltën. Gabimi ynë është që përqendrohemi shumë vetëm kur luajmë ndaj ekipeve të mëdha. Dallimi midis nesh dhe të tjerëve ky është. Nuk arrijmë të tregohemi profesionistë, ndërkohë që skuadrat e mëdha japin gjithçka edhe ndaj ekipeve të vogla. Pra, ky mentalitet duhet të ndryshuar dhe në fushë me këdo duhet të japim gjithçka.Premtimi për tifozët kuqezinj
I pyetur se çfarë u premton tifozëve kuqezinj, të cilët janë ende me zhgënjimin e edicionit të kaluar, Altin Lala u shpreh: "E di që janë të zhgënjyer, por duhet të jemi realistë. Shumë e rëndësishme është që të japim maksimumin, pasi edhe tifozët e bëjnë pastaj dallimin, nëse luajtëm keq apo jo. Mund të luash mirë dhe të humbësh, ose e kundërta. Ju premtojmë maksimumin."