E Diel, 1 Nëntor 2026

Kodi Doganor me 84 vota, dështon votimi me konsensus

SHKRUAN: Sabina Veizaj 13-09-2011 10:46

Mazhoranca dhe opozita nuk gjetën dje konsensusin për të miratuar ndryshimet në Kodin Doganor, që kërkojnë 3/5 e votave. Pas heshtjes parlamentare, opozita dje në Komisionin e Ekonomisë debatoi ashpër me mazhorancën, duke kundërshtuar miratimin e ndryshimeve në Kodin Doganor. Mimi Kodheli, nënkryetarja e Komisionit, duke u shprehur kundër miratimit të ligjit në fjalë tha se “ Ky kod daton në prill të vitit 2009, shumë herët. Propozojmë t’i kthehet ministrisë përkatëse. Ne jemi të informuar që po ribëhet Kodi Doganor. Kjo e bën të pavlefshëm diskutimin për këtë projektligj siç ka ardhur në komision. Të presim ligjin e ri që mbështetet në rekomandimet e BE-së. Presim që ligji i ri të mos shoqërohet nga një relacion modest dhe gati pa vlerë si ky i sotmi për të krijuar një opinion më të saktë”. Nga ana tjetër, kreu i komisionit, Edmond Spaho, sqaroi se rikthimi i projektligjit është shqyrtim formal, pasi opozita iu rikthye jetës parlamentare dhe ka të bëjë me licencimin. Spaho argumentoi se ky projektligj nuk ka të bëjë me arnime, por vetëm me pasqyrimin e referencave për ligjin e licencave. Ndërkaq, mazhoranca deklaroi se nuk është në dijeni të hartimit të një Kodi Doganor të ri. Deputeti Arben Ahmetaj vuri në dukje disa probleme në lidhje me çështjen në fjalë. Sipas tij, ministri i ri ndoshta do të ndjekë një logjikë të re, të ndryshme nga ajo aktuale. Ai i konsideroi ndryshimet në Kodin aktual si jo të rëndësishme, duke u shprehur se licencat vazhdojnë të jepen për agjencitë doganore. Në të njëjtën kohë, deputeti demokrat Florion Mima sqaroi se licencat aktualisht nuk jepen nga Ministria e Financave, por Qendra Kombëtare e Licencimit. Sipas tij, ndryshimet juridikisht kanë marrë formë.

Malaj kërkoi që diskutimi të shtyhej për nesër, ndërkohë që debatet për ndryshimet në Kodin Doganor do të vazhdojnë në këtë mbledhje. Ndryshimet në fjalë në Kodin Doganor parashikojnë që brenda dy muajve nga hyrja në fuqi të bëhet përgatitja e paketës së ndryshimeve në ligjet sektoriale për arritjen e koherencës ligjore të legjislacionit sektorial në ligjin e licencave. Në këtë projektligj parashikohet shtesa: “Veprimtaritë e përcaktuara në këtë ligj, të cilat përfitojnë trajtime favorizuese apo lehtësuese, përfshihen në kategoritë 12,1, të ligjit për licencat. Licencimi dhe/ose autorizimi i këtyre trajtimeve bëhet sipas dispozitave në vijim të ligjit për licencat”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›